Futboll

Nuk ka të bëjë me formacionin, Flick: Cili është problemi i vërtetë i Barcelonës!

Hansi Flick po ballafaqohet me një situatë tejet të vështirë pasi ka humbur dy nga tri ndeshjet e tyre të fundit në La Liga.

Për t’u rikthyer tek fitoret, Flick po fokusohet në dy drejtime: Ndërtimi i besimit dhe të sigurojë se ka një komunikim të hapur me lojtarët.

Këta hapa po shihen si shumë të rëndësishëm për të tejkaluar ‘krizën’ e cila ka kapur momentalisht kampin blaugranas.

Flick njihet për raportet e tij të afërta me të gjithë pjesëtarët e skuadrës, qofshin ata titullar apo të bankës rezervë. Ai inkurajon ekipin kur gjërat po shkojnë mirë dhe bën një hap para kur përballet me situata të vështira.

Diskutimet e hapura janë shumë të rëndësishme në qasjen e tij ndaj lojtarëve dhe gjermani beson se kjo mund të ndihmojë ta përmbysë situatën e krijuar.

Me pak kohë për të bërë ndryshime të mëdha, Flick është fokusuar që të bëjë disa ndryshime të vogla andaj seanca stërvitore të dielën ishte e dedikuar për rikuperim të lojtarëve kurse ajo e sotmja ka përfshirë disa ushtrime.

Qëllimi është që të riaktivizohen lojtarët, jo të bëhet ndryshim në taktika. Lojtarët kyç si Marc Casado dhe Lamine Yamal do të rikthehen në formacionin titullar për të sjellë një energji të re.

Flick e kishte bërë të qartë më herët se problemi nuk është tek emrat në formacion, por tek përkushtimi i tyre.

Tekniku gjerman e kishte përmendur rëndësinë e përqendrimit dhe punën e madhe si dy faktorë të cilët do ta ndihmojnë skuadrën e tij të kthehet tek rezultatet pozitive./Telegraf


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë