Politike

Nuk ka surpriza, Kolegji rrëzon Metën, zgjedhjet më 30 qershor. Presidenca: Skeçi i radhës

Bledar Hoti – Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për çregjistrim nga zgjedhjet dhe me refuzimin e kërkesës së kryetarit të PUK-së, Idajet Beqiri, kolegji ka rrëzuar automatikisht edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor.

Trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Tomor Skreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa e rrëzoi kërkesën edhe pritet që të shpallë brenda disa ditësh vendimin e argumentuar se pse e refuzon një kërkesë të tillë. Mësohet se të pesë anëtarët e Kolegjit kanë votuar pro rrëzimit të këtij kësaj kërkese. Por dy anëtarët Lindita Sinani dhe Ridvan Hado kanë mendim paralel për këtë kërkesë, pavarësisht se janë pro rrëzimit të kësaj kërkese të PUK-ës.
Me këtë akt plotësohet dhe qëndrimi i PS-së se dekreti i presidentit është një akt administrativ dhe interpretohet në Gjykatën Administrative ose Kolegjin Zgjedhor.

Trupa e Kolegjit


Në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor, Beqiri u shpreh se kundërshton vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që rrëzoi kërkesën e partisë së tij Uniteti Kombëtar për t’u ç’regjistruar nga zgjedhjet dhe që PUK të hiqet nga fleta e votimit. Pranë trupës gjykuese Beqiri tha se dekreti i Presidentit ka çuar në një përplasje institucionale të cilën duhet ta zgjidhë Kolegji, duke shtuar se nuk e bëri këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi ky institucion e ka dhënë një vendim lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve në rastin e vitit 2017, duke thënë se ky vendim nuk është kompetencë e tyre, por e Kolegjit Zgjedhor.

Beqiri sot në Kolegj

“Kemi qenë edhe parti parlamentare. Sot kemi 15 këshilltarë bashkiakë, kemi dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak Kukës. Nuk kemi qenë dakord me datën 30 qershor 2019. Kemi menduar që zgjedhjet duhet të ishin lënë më parë. U përgatitëm për këto zgjedhje. Prej 2001 ne nuk marrim asnjë lek nga buxheti i shtetit. Kur u caktuan zgjedhjet na pyetën. Për zhdekretim nuk na pyeti njeri dhe nuk u la një date tjetër zgjedhjesh. Ne jemi parti e Unitetit Kombëtar dhe Shqipëria me të gjitha pjesët e territorit të bashkohet. Ne kemi qëllim unitetin. Në rastin kombëtar ky unitet u cenua. E kur u vu mes dy zjarreve, KQZ thotë zgjedhjet më 30 qershor dhe presidenti thotë nuk ka zgjedhje. Elektorati ynë u vu në pozitë të vështirë. Kjo është si luftë me mullinjtë e erës. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’ia çonim pasi kjo gjykatë e kishte thënë verdiktin e saj. Kërkesa jonë është të hiqemi nga fletët e votimit. Por KQZ pasi shqyrtoi kërkesën tonë u mor me shkakun përse ne bëmë padi. Shkaku i vetëm është dekreti presidentit. Është i vlefshëm apo jo ky dekret, deri sa Kushtetuesja e ka dhënë njëherë një vendim. Në këto kushte ne nuk kishim zgjidhje tjetër dhe e sollëm këtu. KQZ na thotë dekreti i presidentit është absolutisht i pavlefshëm. Presidenti thotë që këto janë zgjedhje moniste por në fletë ka 50 parti politike. Kolegji zgjedhor duhet të zgjidhë ngërçin e krijuar midis institucioneve më të larta të shtetit”, u shpreh Beqiri.


Përfaqësuesi i KQZ-së, Olsi Peto


Përfaqësuesi i KQZ-së, Olsi Peto u shpreh se i qëndron vendimit të marrë, duke kërkuar refuzimin e kërkesës së paraqitur nga subjekti politik PUK. Sipas tij ç’regjistrimi do të sillte një kosto, pasi fletët e votimit janë shtypur tashmë.
“Partia Uniteti Kombëtar është regjistruar, kemi miratuar fletët e votimit dhe renditjen e partive në këto fletë. Fletët janë printuar. PUK renditet në fletë aty në ato bashki ku ka marrë pjesë. Kërkesa e Beqirit është e pabazuar në ligj dhe duhet rrëzuar. Legjislatori nuk e ka parashikuar tërheqjen me ligj. Heqja e një partie automatikisht do sillte asgjësimin e fletëve të votimit. Ky precedent do të banalizonte zgjedhjet”, u shpreh përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Olsi Peto.
Sipas tij, dekreti i presidentit për të anuluar zgjedhjet është antikushtetues dhe bie ndesh madje dhe me Konventat Ndërkombëtare, si dhe ky akt është i pavlefshëm në shkelje të ligjit dhe nuk sjell asnjë pasojë.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor


Gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor, Artur Malaj iu drejtua me pyetje juristit të KQZ-së duke u shprehur: “Thoni që dekreti i presidentit është i pavlefshëm. Si e konsideroni dekretin e presidentit? Çfarë natyre ka kushtetuese, administrative?” Ai u shpreh se është një akt administrativ individual. Ndërsa kësaj pyetjeje kreu i PUK-së, Idajet Beqiri iu përgjigj se “nuk është në natyrën time të bëj interpretim. Për këtë ju jemi drejtuar. Dekreti i presidentit është akt individual administrativ sipas vlerësimit tim si jurist dhe avokat”. Për juristin e KQZ-së, nëse Presidenti do të kishte nxjerrë dekret me datë të re atëherë do të ishte në rregull. “Presidenti ka kompetencë për të caktuar datë jo për të anuluar zgjedhjet”, tha ai.


Reagimi i Presidentit, opozitës dhe PS-së
Menjëherë pas vendimit të Kolegjit ka ardhur edhe reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi. “Asnjë surprizë nga skeçi i radhës i orkestruar prej kohësh”, shpreh Blushi, duke aluduar se ky vendim dhe ankim ishte një skenar i PS-së.
Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar menjëherë ministrja e Shtetit, njëherësh zëdhënëse e qeverisë duke iu rikthyer po me ironi. “Ai momenti kur Ilir Meta nuk ndikon dot më mbi trupin gjykues dhe flet për skeç të orkestruar, fiks si ai momenti kur agresori bën viktimën, duke folur për kurth të organizuar nga viktima!”, shkruan Spiropali në Twitter. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso shtron pyetjen se “Tani, si hiqet Dekreti i Presidentit nga Fletorja Zyrtare pas këtij vendimit të Kolegjit ??”.


Presidenca ka njoftuar ndërkohë që kreu i shtetit do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme pas vendimit të marrë nga Kolegji Zgjedhor. Njëherësh presidenti pritet të mbajë edhe një qëndrim ndaj nismës së ndërmarrë nga mazhoranca për shkarkimin e tij.
Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi një koment të tij përpara dhënies së vendimit nga kjo trupë gjyqësore, thekson se Kolegji nuk ka të drejtë të argumentojë dhe të japë vendim mbi dekret të Presidentit.

“Kolegji mund të gjykojë vetëm mbi objektin e ankimit që ka bërë partia aleate e Ramës: shfuqizimin ‎e vendimit të KQZ dhe ç’regjistrimin e saj nga zgjedhjet. Asgjë tjetër. Këtë e përcakton Kodi Zgjedhor. Për këtë e ngritëm Kolegjin në vitin 2003 dhe jo për të zëvëndësuar Gjykatën Kushtetuese në interpretimin e Kushtetutës, apo ndonjë gjykatë tjetër. Kolegji nuk mund të shfuqizojë aktet themelore të procesit zgjedhor siç është Dekreti. Madje ka më shume se kaq. Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtoje as këtë çështje, sepse ligjërisht nuk ka datë zgjedhjesh dhe nuk ka proces zgjedhor e për rrjedhojë nuk ka as subjekte zgjedhore që mund të ankohen përpara tij. Kolegji duhet të pushojë gjykimin”, shprehet Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi

Ish-deputeti gjithashtu thekson se “në zgjedhjet vendore të 2000, Gjykata e Lartë mori vendime të njëanshme në favor ‎të qeverisë së PS. Në zgjedhjet parlamentare të 2001, Gjykata Kushtetuese bëri të njëjtën gjë. Kjo çoi në kritika të ODIHR që bënë që këto dy gjykata të kompromentuara e të kapura politikisht nga Partia Socialiste të hiqeshin nga zgjedhjet dhe të krijohej Kolegji Zgjedhor si garanci e besueshme”. Ndërsa paralajmëron se Kolegji mund të jetë në presionin e Vettingut dhe ndaj mund të marrë një vendim në favor të PS-së. “Sot, i rrethuar me vetting dhe presion, Kolegji ka shansin të mbroje parimet kushtetuese të zgjedhjeve të lira e të ndershme, të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, ose të bëhet vegël e Kryeministrit si KQZ. Sot vendoset nëse Kolegji duhet shkrirë përfundimisht apo vazhdon të jetë garanci, sado jo perfekte”, thekson Bylykbashi.

Reagimi i nënkryetarit të KQZ-së
Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba e ka cilësuar si historike vendimin e Kolegjit. “Do të doja shumë që kjo situatë të ishte e paqenë, që Presidenti te mos e kishte nxjerre Dekretin e dyte per anulimin e dates se zgjedhjeve; qe KQZ te mos vihej në pozitën e vështirë e të padëshirueshme për të konstatuar si absolutisht të pavlefshëm një akt të Kreut te Shtetit; që Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit te mos e godiste Dekretin e Presidentit e, në një farë mënyre edhe autoritetin e tij. Sidoqoftë, nuk mund ta fsheh kënaqësinë personale për ngadhënjimin profesional lidhur me faktin e pamohueshëm tashmë se vendimi i KQZ ishte ligjërisht korrekt, paçka se politikisht nuk i pëlqeu një pjese të politikanëve të vendit. KQZ nuk mori kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, paçka se më se njëherë kjo e fundit ka vendosur se dekretet presidenciale nuk përbëjnë lëndë kushtetuese. KQZ u gjend përpara nje situate ku, ose do ndërpriste procesin zgjedhor, ose do të vijonte përgatitjet, megjithëse Dekreti që anuloi datën e zgjedhjeve ishte haptazi i paligjshëm. Ne u fokusuam te paligjshmëria flagrante, e jo te kushtetutshmëria/antikushtetushmëria e Dekretit.

Denar Biba, nënkryetari i KQZ-së

Tashmë vendimmarrja e KQZ u certifikua edhe gjyqësisht”, shprehet Biba. Kolegji është pjesa fundore e animimit, kështu që zgjedhjet e 30 qershorit me dekretin e parë të Metës janë në fuqi. “KQZ sapo bëri histori, më së paku për sa i përket të drejtës administrative. Kjo është një ditë e mirë për shtetin e së drejtës në Shqipëri”, shprehet Biba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë