Teksa iu referua deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ‘presidenti nuk jep autorizim për negociata me Fondin saudit për marrëveshjen e huas’, Presidenti Meta I tregoi medias korespodencën me Ministrinë e Financave për këtë çështje, ku ndër të tjera sipas tij pranohej se nuk kishte pasur negociata, dhe që sipas Presidentit është shkelje e Kushtetutës dhe e ligjit.
“Qartazi përfaqësues të qeverisë gënjyen në kuvend se do të vijonin projektin por me fonde të tjera. Por vijoi me shpalljen e ligjit, madje i befasuar që qeveria nuk do kërkonte më hua, por do e bënte me fonde të brendshme”.
Pas kuvendit, 7 ditë më vonë, më 29 shtator, Ministria e Financave i paraqet një kërkesë presidentit ku kërkon autorizim për plotfuqi për një marrëveshje huaje me fondin saudit ndërkohë Presidenti njihet me faktin se kjo marrvëshje ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave më 23 shtator 2020. “Si rezultat i shqyrtimit të kësaj praktike, rezultoi që jo vetëm që presidentit i kërkohet plotfuqi për një marrëveshje ku më parë nuk i ishte kërkuar autorizim për negociata, jo vetëm që kryeministri e ka miratuar në parim marrëveshjen duke kapërcyer fazën e negocimit, por përfaqësues të qeverisë kanë gënjyer. Më e rënda, duke shkelur kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit që përcaktojnë që një marrëveshje e re huaje duhet patjetër negociuar para se të nënshkruhej”-deklaroi Meta.
Më 6 tetor presidenti i drejtohet Ministrisë së Financave dhe për dijeni dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme që drejtohej nga kryeministri, ku i thotë se pas verifikimeve paraprake sipas tij nuk rezulton që për këtë marrëveshje Presidenti i Republikës të ketë lëshuar autorizim për negocim. “Me qëllim mospengimin e procesit, kërkojmë të na informoni brenda një kohe sa më të shpejtë për gjithë hapat që janë ndjekur për finalizimin e marrëveshjes”-shkruante nw atw kohw Presidenti.
Ministria e Financave i kthen përgjigje zotit Meta dhe sipas tij pranon që në datën 15 tetor, konkretisht për marrëveshjen që kërkohet ky autorizim nuk ka pasur negociata sepse asnjë prej institucioneve në varësi nuk ka pasur komente apo sugjerime mbi draft marrëveshjen e vënë në dispozicion nga Fondi Saudit për Zhvillim. “Pra, Ministria e Financave tha se nuk ka pasur negociata. Presidenti duke mos dashur të besojë një shkelje kaq flagrante të ligjit, i drejtohet sërish me shkresë më 27 tetor. Presidenti nuk mund të fshihte shqetësimin e vënë disa herë në dukje dhe i kujtoi Ministrisë së Financave që sipas ligjit, Ministria e Financave ka detyrimin të negociojë dhe pastaj të vendosë për kushtet e huas si dhe të vlerësojë dhe negociojë rregullat për të drejtat dhe detyrimet e palëve”-deklaroi Meta.
Por në një reagim të mëvonshëm Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj i është përgjigjur shkurtimisht Metës për marrëveshjen e Huasë me Fondit Saudit të Zhvillimit për projektin e rrugës Vlorë-Orikum.
Ajo premton se të mërkurën do t’i përgjigjet Presidentit me fakte kokëforta, Denaj konstaton se “Meta gabon nga fillimi në fund”.
Ministrja thekson se nuk ka pasur negociata për marrëveshjen pasi nuk bëhej fjalë për hua të re, por për një hua të negociuar më parë.
Ajo shton se një pjesë e huasë është rialokuar nga një objekt në tjetër, brenda të njëjtës zonë gjeografike teksa Fondi Saudit i Zhvillimit thjesht ka rënë dakord.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




