Drejtësia

‘Nuk ka më të paprekshëm’. Altin Dumani në 5 vjetorin e SPAK: Ka pasur përpjekje për të minuar punën tonë. Drejtësia nuk ka anë

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se në këto 5 vite, struktura që ai drejton ka dhënë mesazhin se në Shqipëri nuk ka më të paprekshëm dhe se drejtësia nuk mban anë.

“Kemi arritur të hetojmë zyrtarë të të gjitha niveleve, duke u dhënë një mesazh të qartë se drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe se nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen dhe cenohen”, tha Dumani në fjalën e tij gjatë ceremonisë me rastin e 5-vjetorit të krijimit të SPAK.

“Kemi treguar se mund të përballet me kurajë, për t’i kthyer qytetarët shqiptarë te shteti i së drejtës dhe te forcimi i një prej parimeve kryesore të demokracisë: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar përpara tij. Jemi krenar për kontributin tonë, sadopak që kemi dhënë, në lehtësimin e kësaj aspirate për qytetarët tanë. Dhe jemi të vendosur që të ruajmë standardin europian të zbatimit të ligjit”, shtoi Dumani.

Duke kujtuar fillimin e vështirë, Dumani përmendi në emër të gjithë prokurorët e SPAK, si dhe kujtoi fillimet e vështira.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se ai dhe kolegët e tij janë kërcënuar për shkak të detyrës.

“Jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë. Por përballë këtyre jemi mbledhur bashkë si një trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sa e rëndësishme është pavarësia e institucionit ku ushtrojmë detyrën dhe sa i rëndësishëm është integriteti i gjithsecilit nga ne. Nëse dikush mendon ndryshe gabohet. Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Dumani në fjalën e tij gjatë ceremonisë me rastin e 5-vjetorit të krijimit të SPAK.

Ai shtoi se SPAK është sot i pavarur dhe se po punon për të siguruar që ligji të jetë i barabartë për të gjithë.

Dumani falënderoi në fjalën e tij ndërkombëtarët, Policinë e Shtetit dhe BKH, por edhe mediat dhe familjarët. “Një falënderim i veçantë shkon për familjarët tanë, të cilët na kanë mirëkuptuar për kohën e munguar ndaj tyre. Suksesi ynë nuk mund të ketë kuptim pa ju!”, tha Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë