Futboll

Nuk ka kohë për pushim, Superiorja sërish në fushë

Kategoria Superiore kthehet sot dhe nesër për raundin e dytë të fazës së katërt që luhet brenda 4 ditëve nga mesjava e kaluar. Gjithçka në shenjën e Klasikes Tirana-Vllaznia që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në më pak se 24 orë nga sfida Dinamo City-Bylis. Bashkë me këtë të fundit Skënderbeu dhe Partizani në “Stadiumin Skënderbeu” do të fillojnë këtë raund pasditen e sotme (ora 17:00). Kryeqytetasit në juglindje do të provojnë të arrijnë fitoren e parë në 5 të fundit ku kanë marrë vetëm 1 barazim duke pësuar një shkëputje prej 12 pikësh nga vendi i parë. 

Vendasit që morën 7 pikë në 5 ndeshjet e fundit kanë objektiv mbijetesën për të cilën ju duhen pikët e sotme në shtëpi. Blutë e Ilir Dajës morën 8 pikë në 450 minuta, 1 më shumë se miqtë e Gentjan Mezanit në “Elbasan Arena” Si “vendas” dhe miq, duan maksimumin për objektivat ende të mundshëm sezonalë. Tre sfidat e dyta do të zhvillohen të martën dhe Laçi pret Egnatian në shtëpi (ora 13:30) me një qëllim, fitoren që do ta ndihmonte të siguronte sa më shpejt mbijetesën. Ndërsa kampionët në fuqi luajnë për të tretin rezultat pozitiv rradhazi. 

Klasikja ndaj bardhebluve i gjen kuqeblutë në një seri pozitive ku nuk kanë asnjë humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe të besuarit e Brdaric do të shfrytëzojnë në maksimum krizën e skuadrës së Shkëmbit, për të kapur vendin e parë në sezonin e rregullt. Tirana e ka fatin të lidhur me 90 minutat e Durrësit ku Teuta pret AF Elbasani dhe do të kërkojë fitoren e dytë në 6 ndeshjet e fundit. Dy barazime dhe dy humbje plotësojnë këtë seri për “Djemtë e Detit”. Ndërsa me 5 pikë më pak, verdheblutë e Gvozdenovic e shohin më pranë zonën e BIG4.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë