Prokurori i Tiranës Ervin Karanxha është shkarkuar nga detyra për shkak se nuk arriti të justifikojë dot pasurinë e tij. KPK gjeti mungesë të burimeve financiare për Prokurorin e Tiranës, pasi ai rezulton se ka një bilanc negativ, pra, ka shpenzuar më shumë se sa ka fituar ligjërisht.
Gjatë zhvillimit të seancës këtë të mërkurë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ka pasur debate të forta dhe avokatët e tij janë nxjerrë jashtë nga efektivët e Gardës së Republikës. Prokurori dhe avokatët e tij janë paraqitur në seancë, për të cilën pretendonin se do të ishte dëgjimore dhe jo për shpalljen e vendimit nga KPK.
Kjo ka sjellë momente tensioni mes përfaqësuesve të Karanxhës dhe trupës gjykuese, aq sa është dashur ndëhyrja e oficerëve të Gardës.
Në deklarimin e tij të pasurisë për herë të parë në vitin 2003, Karanxha deklaron pasuri prej 434 mijë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 19.8 milionë lekëve.
Karanxha zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 13.5 milionë lekë dhe kursime në cash prej 6.2 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese, janë 22.9 milionë lekë, nga të cilat 60% kanë si burim pagën e subjektit si prokuror dhe 39% pagat e familjarëve.
Ervin Karanxha rezulton me pamjaftueshmëri të burimeve financiare për të mbuluar shtesën e aseteve në vitin 2011 në vlerën 215,847 lekë, pa llogaritur shpenzimet vjetore për konsum familjar.
Në vitin 2009, bashkëshortja e subjektit, deklaron si person i lidhur një apartament banimi të blerë në vitin 2005 me vlerë 39,000 euro. Si burim financimi për këtë apartament, ajo deklaron vetëm një kredi bankare prej 2,500,000 lekë. Gjithashtu në vitin 2010, deklarohet shlyerja e kësaj kredie përmes një kontrate huaje me vlerë 1,200,000 lekë.
Në vitin 2011, subjekti deklaron shtesë apartament banimi me sipërfaqe 114.5 m2 në Berat me vlerë 6,000,000 lekë, por në qershor të vitit 2011, kontrata është revokuar.
Më 1 tetor është blerë apartament banimi me sipërfaqe 90.12 m2, me vlerë 8,200,000 lekë në Tiranë, me burim financimi 1,000,000 lekë kursime të akumuluara dhe 5,000,000 lekë kredi bankare.
Në fund të vitit 2017, sipas deklarimeve, subjekti Ervin Karanxha rezulton me gjendje cash progresive në vlerë 6,296,515 lekë.
Nga kjo gjendje, 35,000 dollarë i përkasin babait të deklaruesit, 409,625 lekë bashkëshortes dhe diferenca janë kursime të akumuluara ndër vite të deklaruesit.
Ervin Karanxha është bashkëshorti i ish-gjykatëses Bernina Kondi, e cila u shkarkua disa muaj më parë nga Vettingu, sepse edhe ajo kishte probleme me pasurinë. Procesi ndaj tij, u krye nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)















