Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka arrestuar efektivin e policisë që vrau armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha.
Arrestimi është bërë me akuzën e vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme.
Policia e Tiranës u përjashtua nga hetimi i kësaj çështjeje, ndërsa Prokuroria hetoi bashkë me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA).
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 ku dy punonjës të patrullës së Shqiponjave ishin përcaktuar për kontrolle në zonën e Laprakës, teksa gjatë shërbimit, në mesnatë kanë pikasur një të ri që ecte në rrugë.
Policia tha se 25-vjeçari Klodian Rasha, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar madje është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri, ndërsa ky i fundit është kundërpërgjigjur me pistoletën e shërbimit, duke e lënë të plagosur. I riu ndërroi jetë në spital.
Ndërkohë, polici me inicialet N. H, pretendoi se ka qëlluar në drejtim të të riut për faktin se ai e kërcënonte për ta vrarë.
“Kemi synuar me kolegun tim që ta ndalonim personin, për ta pyetur se pse kishte dalë nga banesa”, mësohet të ketë thënë polici.
Viktima Klodjan Raxha ka rezultuar një person i njohur për policinë, pasi ishte akuzuar për plagosje të lehtë si dhe për dhunë në familje.
Nga ana tjetër, policia deklaroi se rreth 80 metra larg trupit të të riut u gjet një pistoletë, ndërkohë që po hetohet nëse i përket atij apo nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë.
Xhaxhai i Klodjan Rashës në një prononcim për mediat ka mohuar që nipi i tij të ketë pasur armë me vete.
Ai tha se nipi kishte pasur dy hurma në dorë dhe kishte dalë të pinte një kafe. Ai kërkon zbardhjen e ngjarjes nga shteti, por apeli i tij ka qenë dhe për gazetarët.
“Ka dalë me pi një kafe, ka pasur dy kokrra hurma në dorë, i ka lënë në ballkon, ka dalë me pi një kafe. Kur na thanë ka vdekur. Përpara ka qenë i sëmurë, gjatë ditës ka qenë duke punuar. Çfarë armësh more zotëri. Baba i vet ka qenë duke fjetur. Na thanë që është në morg. Nuk e kemi parë trupin. Dhe në emër të vëllait kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund. Vëllai më ka garantuar që djali nuk ka pasur absolutisht asgjë me vete”, mësohet të ketë deklaruar xhaxhai i viktimës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




