Politike

Nuk ishin të pranishëm në numërim, PD e Fierit nuk do të njohë rezultatin e 7 kutive në KZAZ 60

Nga Gazeta Si- Partia Demokratike e Fierit deklaron se nuk do të njohë rezultatin e 7 kutive që janë numëruar pa praninë e tyre në KZAZ 60, vetëm nga dy numërues të PS dhe PSD.

Në KZAZ 60, numërimi u ndërpre në mesditë sepse numëruesit e PD deklaruan se ishin të lodhur dhe kërkuan që të ndërpritet numërimi për të nisur nesër në mëngjes.

Por, në komunikimin e PS me KQZ u vendos se numërimi do riniste me dy numërues një i PS dhe një i PSD, pasi ambientet monitorohen nga kamerat dhe numëruesit kanë edhe kamera në trup.

Ndërkohë, PD vendosi të rikthehej në qendrat e numërimit në orën 18:00 kurse numërimi rinisi në 16:00, sipas kodit zgjedhor.

Pasi ishte bërë numërimi i 7 kutive të para, PD tha se nuk do e pranojë rezultatin e kutive sepse numërimi ishte bërë pa praninë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë