Drejtësia

Nuk i jepnin shërbim dhe i çonin pacientët te privati, 7 masa sigurie për mjekë e staf të Spitalit Onkologjik në Tiranë

Gazeta Si - Një hetim i Prokurorisë së Tiranës ka arritur të zbulojë një skemë se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shpërdoronin detyrën, duke i orientuar pacientët te privati.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për disa mjekë dhe punonjës të Onkologjikut pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë.

Sipas hetimeve, këta persona, të cilët ishin të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vet, nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej.

Sipas hetimeve, në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët.

Gjykata ka miratuar kërkesën e akuzës duke çuar para përgjegjësisë ligjore 8 persona, mjekë të spitalit onkologjik në QSUT, kirurgë, ish zv. drejtoresha e përgjithshme e spitalit dhe farmacistë.

Për të provuar ekzistencën e këtij dyshimi nga ana e prokurorisë u përdorën blerje të ilaçeve të stimuluara, kryesisht ato që përdorën për kimioterapi.

“Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin”, thotë policia e Tiranës në një njoftim për mediat

Po sipas policisë “në Spitalin 'Nënë Tereza' ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar”.

Ndaj personave në fjalë u caktuan masat arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje. Prej tyre një person rezulton jashtë vendit dhe 2 në arrest shtëpie, ndërsa të tjerët në detyrim paraqitje.

-Arrest në shtëpi për mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, i akuzuar shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për koordinatorin pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, 36 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për mjeken Alketa Ymeri (Pere), 53 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.

-Detyrim për t’u paraqitur për zv/drejtoreshën në QSUNT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.

-Arrest në shtëpi për administratorin e farmacisë “Flori Farma”, Florian Marku, 42 vjeç, i akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë dhe ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë.

-Detyrim për t’u paraqitur për Halil Gashin për fshehje të të ardhurave.

-Detyrim për t’u paraqitur për Drilona Kishta, e akuzuar për shpërdorim detyre. (Vendimi për të nuk është ekzekutuar pasi është jashtë vendit).

“Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore”, thotë policia e Tiranës.

Ndërsa prokuroria tha se ishte sekuestruar gjithashtu klinika private ne cila referohej nga mjekët. “Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë”, - njofton Prokuroria e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë