Ekonomi

S’e konkurrojmë dot industrinë europiane. Ç’duhet bërë?

Industritë e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë nuk janë ende në gjendje të përballojnë konkurrencën, gjë e cila reflekton në deficite tregtare, borxh të jashtëm dhe mungesë të një hapësirë financiare për investimet publike. Këto janë gjetjet e një raporti të Forumit të Politikave të Integrimit Ekonomik Rajonal.

Forumi i Politikave të Integrimit monitoron nga afër procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe institucionet e përfshira në të.

Zona Ekonomike Rajonale (REA) u prezantua gjatë Samitit të Triestes në 2017, në kuadër të procesit të Berlinit. Që prej fillimit, REA ka sjellë së bashku 6 vendet anëtare të BE-së dhe 6 vendet kandidate dhe potencial kandidate nga Ballkani Perëndimor (BP6).

Ajo ku ende vendet e rajonit ende çalojnë dhe konsiderohen si detyra që dalin për tu kryer janë; liberalizimi i shërbimeve tregtare; finalizimi i negociatave për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale dhe marrëveshjes mbi modelin për njohjen e kualifikimeve akademike, heqja e kostove roaming për konsumatorët e vendeve të rajonit; avancimi i zbatimit të Axhendës Dixhitale të Ballkanit Perëndimor.

Rekomandimet që sugjeron Forumi kanë të bëjnë me përshpejtimin e rezultateve në kontekstin e REA-s dhe gjashtë vendet e rajonit duhet të thellojnë integrimin e tyre drejt një tregu të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo, citon raporti,  është një ‘detyrë shtëpie’ për qeveritë e rajonit për të çuar përpara reformat e tyre ekonomike me qëllimin për të qenë pjesë e një tregu të përbashkët rajonal. Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal konsiderohet mënyra e vetme për të transformuar dhe prezantuar rajonin në një destinacion unik për thithjen e investimeve të huaja.  Nevojitet një instrument i dedikuar financimi për vendet e rajonit, në funksion të nxitjes së integrimit të gjashtë ekonomive të vogla në një treg të përbashkët rajonal dhe sigurimit të zbatimit të suksesshëm të Planit Shumëvjeçar të Veprimit.

“Duhet të kuptohet se, investimi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor është një situatë ku nuk ka të humbur, gjë e cila është qartësisht në interesin tonë të përbashkët europian. Kështu, mbështetja e ardhshme e BE-së për rajonin duhet të korrespondojë me ambicien e saj politike, ambicie që me procesin e Berlinit ka njohur zhvillim pozitiv. “ –thuhet në raport.

Nga pikëpamja praktike dhe e eficiencës, një instrument i dedikuar financimi për rajonin mund të jetë më i përshtatshëm në aspektin e zbatimit, bashkërendimit dhe monitorimit, në vend të disa instrumenteve sikurse paraqitet situata aktuale (si IPA, ËBIF, ERBD etj.) Gjithashtu, për  Forumin, është me rëndësi të madhe që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të përgatisin politikat e tregtisë së brendshme në mënyrë që të lehtësojnë përgatitjen e secilës ekonomi në kontekstin e “bërjes gati ” për të vepruar në një treg të lirë. Si e tillë,thuhet në raport,  është e rëndësishme që të bëhet një hartëzim i të gjitha industrive prodhuese, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e asaj që po prodhohet pikërisht në secilën prej vendeve të rajonit, si dhe cilat produkte mund të konsiderohen me përparësi konkurruese për secilën ekonomi si në nivel kombëtar ashtu edhe atë rajonal. Qëllimi është që këto vende të bëhen më efikase në aspektin e prodhimit, në mënyrë të tillë që vendet e Ballkanit Perëndimor të konkurrojnë në të njëjtin nivel me njëri-tjetrin, si dhe me BE-në sapo tregu të liberalizohet.

REA ka për qëllim: mundësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punës së kualifikuar; transformimin e Ballkanit Perëndimor në një rajon më tërheqës për investime dhe tregti.

Deri më tani, kostoja totale e bashkëfinancimit të projekteve të ndërlidhjes miratuar në Samitin e Triestes arriti në vlerën e 535,8 milionë €, nga të cilat 194,1 milion € ishin grante të BE-së. Ndërsa për vitin 2018, kjo kosto arrin në vlerën e 1034,5 milionë €, nga të cilat 190.2 milionë € do të jenë grante të BE-së. Transporti, energjia dhe mjedisi kanë marrë numrin më të madh të granteve /projekteve, të ndjekura nga sektori social dhe privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë