Drejtësia

‘Nuk e dinim që ndalohej’, Gjykata e Tiranës lë në burg prostitutat nga Kolumbia

Nga Gazeta Si- Gjykata e Tiranës konfirmoi masat e sigurisë “arrest në burg” për pesë kolumbianet e arrestuara të enjten nga operacioni “Orkidea”, si pjesë e një rrjeti prostitucioni në kryeqytet.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, pesë kolumbianet i thanë gjykatës se kishin ardhur në Shqipëri përmes një agjencie punësimi për arsye ekonomike, pasi vinin nga divorce në vendin e origjinës, por kanë mohuar të ishin pjesë e ndonjë rrjeti prostitucioni.

Ndonëse kanë pranuar të jenë përfshirë në këtë aktivitet duke u regjistruar në faqet e eskortave në Instagram, për llogari personale të tyre, ato janë shprehur se nuk e dinin që prostitucioni ishte vepër penale në Shqipëri.

Masa e sigurisë “arrest në burg” qëndroi e pandryshuar edhe për taksistin E. S., ndërsa për A. B., oficere krimesh në Komisariatin nr. 4, gjykata vendosi të vijojë masa e “arrestit në shtëpi”.

Policia e Shtetit ekzekutoi 8 masa sigurie të enjten, nga 11 të miratuara nga gjykata mbi një rrjet të rekrutimit të vajzave nga Kolumbia, sjelljen e tyre në Tiranë dhe më pas përfshirjen e tyre në prostitucion, kundrejt tarifave nga 200 në 250 euro për çdo klient.

Prokuroria e Tiranës ka proceduar 44 vajza nga Amerika Latine si të përfshira në këtë skemë. Të dyshuarit në këtë çështje akuzohen në role të ndryshme për “shfrytëzim të prostitucionit”, “trafikim të personave të rritur”, “prostitucionin” dhe “mbajtje e lokaleve për prostitucion”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë