Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur një padi ndaj ish-ministrit për Punët e Jashtme dhe ish-kooridinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skënder Hyseni, për deklarim të pasaktë të pasurisë.
Sipas padisë, theksohet se Skënder Hyseni në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një makinë të tipit “Volksvagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Hyseni tha se kjo akuzë është një çështje teknike e asgjë më tepër. “Po jam në dijeni dhe është e paqëndrueshme. Makina ka qenë duke u përdorur nga djali im dhe ka qenë thjesht një lëshim teknik, janë bërë shpjegimet e duhura”, tha Hyseni.
Skënder Hyseni akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, – me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke mos deklaruar automjetin në fjalë.
Prokuroria e akuzon për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, ku dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.