Gazeta Si – Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, policia ka shpallur në kërkim Oltion Buzin, pasi dyshohet se si subjekt që administronte, ka kryer evazion fiskal, duke mos deklaruar 3.7 milionë euro të ardhura.
“Gjatë hetimit, u ushtruan kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8,000,000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor”, njoftoi organi i akuzës për mediat.
Hetimet e prokurorisë treguan se “Buzi Sport” përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore.
“Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara”, njoftoi prokuroria.
Sipas hetimeve në disa raste, subjekti lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.