Lojëra me Dore

Novak Gjokoviçit ia mbyll dyert edhe Franca: Luajnë vetëm të vaksinuarit!

Pas Melburnit, edhe Parisi. Novak Gjokoviçit i janë mbyllur dyert edhe nga “Roland Garros”, ku numri 1 i botës triumfoi vitin e kaluar, pasi mundi Stafanos Tsitsipas në finale. Në Francë pritet të hyjë në fuqi “super green pass”-i dhe nuk do të ketë përjashtime as për sportistët e huaj. As për arsye elektorale.

Edhe pse fillimisht organizatorët lanë të kuptohej se Gjokoviç mund ta mbronte titullin në maj, situata ka ndryshuar. Ideja ishte për të krijuar një lloj grumbullimi për pjesëmarrësit e pavaksinuar, siç është edhe Gjokoviçi, që në këtë rast duhej të zbatonte një protokoll të rreptë sanitar, por tashmë duket se rregullat kanë ndryshuar .

Novak Gjokoviç. Gazeta Si, 17 janar 2022

“Pasaporta e vaksinës, – ka shpjeguar ministrja e sportit, Maracineanu, – është e detyrueshme për spektatorët, por edhe për ata që praktikojnë sport, për sportistët profesionistë, francezë dhe të huaj”. Pra, nuk do të ketë asnjë përjashtim për ata që nuk janë vaksinuar, apo që janë imunë. Ka nisur kështu linja e ashpër si për të thjeshtuar aplikimin e rregullave të reja, ashtu edhe për të evituar 100 ditë para zgjedhjeve presidenciale polemikat e kota.

Por rregullat e reja duhet të kalojnë edhe një pengesë të fundit, sepse opozita në Francë ka bërë rekurs. Gjokoviç mund të shpresojë ndoshta në një përmirësim të dukshëm të situatës, që mund ta shtyjë qeverinë të pezullojë “super green pass”-in, që, për momentin është i vlefshëm deri në korrik. Me gjendjen aktuale, tenisti serb duhet të modifikojë planet e sezonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë