Gazeta Si – Numri 1 i renditjes botërore është mundur nga Lajoviç në dy sete, por më shumë shqetësojnë problemet fizike që shfaqi tenisti. Ai ka ndjerë dhimbje të forta në bërryl.
Tani sirenat e alarmit janë të forta. Një Novak Gjokoviç nervoz, i lodhur dhe mes dhimbjesh në bërryl ka humbur keq në çerekfinalet Atp 250 të Banja Lukas në Bosnjë Hercegovinë. Një turne ky në pronësi të tij dhe i administruar nga familja e tij. Serbi tjetër, Lajoviç, e ka mundur në dy sete, 6-4 dhe 7-6.
Përtej paraqitjes, shumë larg standardeve të Gjokoviç, për të treguar ndeshjen mjafton të shohim ecurinë e ‘tie break’-ut: Nole ishte në avantazh 6-3, me 3 ‘set point’ në dispozicion, kur humbi 5 pikë radhazi dhe i dha lamtumirën turneut. Bërryli e shqetëson dhe dëmtimi duket më i rëndë nga sa vetë tenisti mendonte.
Mbi të gjitha është dukur një Gjokoviç shumë nervoz, me një raketë që e hodhi drejt publikut, që më pas ia ktheu. Në prag të turneve të Madridit, Romës dhe Parisit, 22 herë fituesi i Slam-eve dhe numri 1 i botës, duket në vështirësi.
Nuk do të ishte fare çudi që ai të heqë dorë nga ndonjë prej këtyre turneve, siç bëri Rafael Nadal në Madrid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.