Merr përmasa ndërkombëtare dhe politike çështja e Novak Gjokoviçit, numri 1 të tenisit botëror, i bllokuar në aeroport në Australi, pasi nuk kishte rekomandimin e duhur për të hyrë në këtë vend.
Mediet australiane bëjnë me dije se Gjokoviç duhet të lërë Australinë, ndërsa avokatët e tenistit do të bëjnë rekurs. Sipas policisë kufitare, Gjokoviç nuk ka paraqitur provat e nevojshme për vlefshmërinë e rekomandimit mjekësor që ai kishte. Serbi ka mbetur kështu i bllokuar në aeroport, sepse vistoja e tij u konsiderua e pavlefshme.

Gjokoviç ka qëndruar disa orë në aeroport, pa mundur të lëvizë, ndërkohë që është marrë në pyetje. Autoritetet vendëse kanë arritur në konkluzionin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të hyrë në Australi, pra tenisti nuk kishte dokumentacionin e duhur për t’u lejuar në këtë vend.
Menjëherë kanë ardhur reagimet për këtë çështje, duke i dhënë asaj ngjyra politike. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka akuzuar autoritetet australiane për “keqtrajtim” të tenistit. Ai ka shkruar në rrjetet sociale: “E gjithë Serbia është me Gjokoviçin. Fola në telefon me Novakun dhe i thashë se do të luftojmë për të. Autoritetet të marrin masat e duhura për t’i dhënë fund keqtrajtimit të lojtarit më të mirë të tenisit në botë.”

Sipas mediave serbe, ambasadori australian në Serbi është thirrur në një takim nga ministri i punëve të jashtme në Beograd për të qartësuar ngjarjen. Sëdrjan Gjokoviç, babai i “Noles”, ka deklaruar se djali i tij “është burgosur”.
Edhe ministri i sportit në Serbi, Vanja Udoviçiç, ka dalë në mbrojtje të Gjokoviçit: “Është absurde dhe e turpshme! Jam i shokuar nga trajtimi për Novakun dhe nuk mund ta besoj se dikush mund të sillet kështu me tenistin më të mirë në botë. Serbia është me ty!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




