Gazeta Si – Skuadra parisiene, e eliminuar në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve, është masakruar nga shtypi francez. Mesfushori italian më i kritikuari, por edhe Mesi e Mbape nuk janë më mirë.
Vit i ri, histori e vjetër. PSG del nga skena e Championsit si sezonin e kaluar. Duhej të ishte viti i rilinjes, por rezultoi e njëjta histori, madje edhe më keq, ndaj dhe shtypi sportiv e ka kryqëzuar skuadrën. Keq Mesi, keq edhe Mbape, por akoma më keq Verratti.
Shi kritikash për trajnerin Galtier dhe bandën e tij të eliminuar nga Bajerni. Shtypi kërkon që klubi zerojë gjithçka dhe të riniset me Zinedin Zidan në stol.

Në ‘bankën e të akuzuarve’ ka përfunduar Marko Verrati. ‘L’Equipe’ e ka vlerësuar me një 2 paraqitjen e tij. “Shumë energji në pjesën e parë, por në të dytën shemb gjithçka me topat e humbur në dy golat e Bajernit”, – është përshkrimi për lojën e italianit.
Shtypi francez djeg edhe Mesin e Mbape, për të dy nota 3. Sipas ‘L’Equipe’, ndeshja në Gjermani mund të ketë qenë e fundit për Mesin në Champions me fanellën e PSG-së. Opinionisti Zherom Rothen i ‘RmcSport’ ka thënë se nuk do më ta shikojë te kjo skuadër. E ardhmja është e paqartë edhe për Mbape, i dorëzuar pas ndeshjes: “Tani mendoj për kampionatin, pastaj të shohim”.
Kritikat kanë qenë më të mëdha në rrjetet sociale. Tifozët duan ‘kokën’ e Galtier, por largimi i tij varet nga klima që do të jetë në skuadër. Ideja për të pasur një francez në stol u prit mirë nga tifozët në fillim, ndërsa tani ai konsiderohet një trajner pa eksperiencë në nivelin europian.
‘Le Parisien’ hedh ‘gurin’ e parë dhe shpall kandidaturën e Zinedin Zidan, një tjetër francez, por i një rangu të lartë. Qarkullon edhe emri i Tuhel, që u largua 4 muaj pasi e çoi PSG-në në finale të Championsit në 2020-ën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




