Shendet

Nostalgjia mund të zvogëlojë perceptimin e dhimbjes

Herën tjetër që të ndjeni dhimbje, mund të konsideroni të anashkaloni ibuprofenin dhe të kërkoni në vend të tij një foto të vjetër. Nostalgjia – ajo ndjenjë sentimentale e dëshirës për të kaluarën – mund të zvogëlojë perceptimin e dhimbjes, sipas hulumtimit të ri të botuar në revistën “JNeurosci”.
Studiuesit në Akademinë Kineze të Shkencave dhe Universitetin Liaoning u kërkuan pjesëmarrësve të studimit të vlerësonin nivelin e tyre të dhimbjes nga stimulimi i nxehtësisë ndërsa shikonin fotot që ishin nostalgjike -që përshkruanin karikatura të vjetra, lojëra fëmijërie e të tjera – krahasuar me fotografitë më moderne. Gjatë studimit, një skaner monitoroi të 34 pjesëmarrësit.
Studiuesit zbuluan se vëzhgimi i fotografive që nxisnin kujtimet e fëmijërisë lidhej me pjesëmarrësit që raportonin ndjenja më të dobëta dhimbjeje.
“Duke menaxhuar shqetësimin e tyre, në vend që të eliminoni ose zvogëloni stimujt (të pakëndshëm), njerëzit mund të përdorin nostalgjinë për të riformuluar përvojat e tyre të dhimbshme”, tha Joe Yazhuo Kong, një nga autorët e studimit.
Sipas tij nostalgjia është një emocion kryesisht pozitiv që njerëzit e perceptojnë lehtësisht në jetën e tyre.
“Për shembull, njerëzit mund të ndihen të lumtur dhe të qetë kur shfletojnë fotografitë e tyre të grupuara me familjen ose miqtë”, shtoi ai.
Studimet e mëparshme kanë treguar gjithashtu përfitimet psikologjike dhe emocionale të nostalgjisë. Një tjetër studim i botuar në revistën “Frontiers in Psychology” tregoi se nostalgjia – e shkaktuar nga një detyrë me shkrim – uli perceptimin e intensitetit të dhimbjes tek njerëzit që vuajnë nga dhimbje kronike. Hulumtimet e mëtejshme zbuluan se njerëzit kishin një tolerancë të shtuar ndaj dhimbjes pas mendimeve të nostalgjisë, sipas Cathy Cox , një profesore e psikologjisë në Universitetin Kristian të Teksasit.

Fotografi të vjetra familjare

“Është bukur të gjesh gjithnjë e më shumë kërkime që lidhin mbivendosjen midis konstrukteve psikologjike dhe emocionale që po studiojmë dhe këtyre përgjigjeve biologjike të sjelljes,” tha Cox, një psikologe me fokus nostalgjinë.
Ndërsa Kong tha se gjatë këtij procesi të lehtësimit të dhimbjeve të shkaktuara nga nostalgjia, talamusi luan një rol vendimtar. Talamusi, i përshkruar shpesh si stacioni transmetues i trurit, është përgjegjës për përcjelljen e informacionit shqisor dhe sinjaleve motorike në tru. Studimi i ri tregoi se talamusi integron atë “informacion nostalgjik” dhe nxit kontrollimin e dhimbjes. Shikimi i fotove nostalgjike gjithashtu uli aktivitetin në dy zona të trurit të lidhura me dhimbjen.
Dhe nuk janë vetëm fotot e vjetra që mund të çojnë në përgjigje pozitive për shkak të nostalgjisë — muzika, filmat ose historitë e caktuara gjithashtu mund t’i shkaktojnë këto. Po ashtu edhe aromat, si parfumi, apo shija e disa ushqimeve, si karamele apo biskotat nga fëmijëria që i kujtojnë dikujt shtëpinë.
Të gjithë këta shkaktarë të nostalgjisë mund të jenë të dobishëm në të ardhmen për ofrimin e mjeteve të lira dhe lehtësisht të arritshme për menaxhimin e dhimbjes për njerëzit.

Foto ilustruese- Fotografi që krijojnë nostalgji

Cox dhe Julie Swets, një tjetër eksperte në Universitetin Kristian të Teksasit, po punojnë gjithashtu në kërkime se si nostalgjia mund të përdoret si një burim për të menaxhuar konfliktin në marrëdhëniet romantike dhe për të rritur kënaqësinë midis partnerëve.
Por Swets paralajmëroi se përdorimi i nostalgjisë për lehtësimin e dhimbjeve mund të mos jetë një zgjidhje e plotë për të gjithë. Studimet e mëparshme theksojnë se nostalgjia është një përvojë emocionale personale që ndryshon në aspektin e shpeshtësisë dhe intensitetit.
Ashtu si me ndërhyrjet e tjera pozitive të psikologjisë, të tilla si praktikimi i vëmendjes ose mirënjohjes, ndikimet mund të varen nga personi.
Studiuesit e përfshirë në studimi gjithashtu kanë plane për të përdorur grupmosha të ndryshme, në kërkimet e ardhshme dhe për të shqyrtuar ndikimet e sinjaleve nostalgjike më personale sesa ato të nostalgjisë gjenerike, siç janë muzika dhe filmat e vjetër.
Burimi: CNN/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë