Futboll

Norvegjia s’shkon në Rumani pas një rasti pozitiv, rrezikon shumë

Rumani-Norvegji, e programuar për sot dhe vlefshme për Ligën e Kombeve, nuk do të zhvillohet. UEFA ka bërë me dije se kjo ndeshje është anuluar, sepse autoritetet norvegjeze vendosën ta ndalojnë kombëtaren e futbollit të udhëtojë për në Bukuresht, për shkak të një lojtari të infektuar nga Covid-19.

Mbrojtësi Omar Elabdelaoui, i cili luan me Gallatasarajin, ka rezultuar pozitiv në testet e Koronavirusit dhe Ministri i Shëndetit i ka kërkuar Federatës Norvegjeze të Futbollit të respektojë rregullat e karantinës, që rekomandojnë izolimin e skuadrës. Norvegjia rrezikon humbjen 3-0 në tavolinë, pasi nuk ka data të lira në kalendar për ta luajtur këtë ndeshje. Në njoftimin e UEFA-s saktësohet se çështja i ka kaluar komisionit të disiplinës.

Omar Elabdelaoui, lojtari pozitiv te Norvegjia. Gazeta Si, 15 nëntor 2020

Norvegjia është me pikë të barabarta me Austrinë në krye të grupit në Ligën B. “Nëse federata vendos të shkojë në një zonë të rrezikshme dhe të minojë një nga instrumentet më të rëndësishme tonat për të përballuar pandeminë, që është karantina pas kontaktit me një të infektuar, atëherë do të reagoj me forcë”, – ka thënë Bent Hoeie për televizionin publik norvegjez, NRK.

Norvegjia ka edhe ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve me Austrinë, e programuar për të mërkurën. Në një letër drejtuar ministrit dhe të publikuar edhe në faqen e saj zyrtare, federata e ka bërë të qartë se i druhet një ndëshkimi për mospjesëmarrjen në këto ndeshje. Edhe miqësorja me Izraelin u anulua, pasi u zbulua një rast pozitiv me Covid-19 në radhët e kombëtares izraelite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë