Nënkampioni i Botës në fuqi, Lando Norris konvertoi “pole position” në një fitore të shumëluftuar në startin e sezonit 2025 në “Australian Grand Prix”, që u zhvillua në kushte të paqëndrueshme klimatike dhe u shoqërua nga incidente të shumta, hyrjet e makinës së sigurisë dhe dramën e xhirove të fundit.
Norris kontrolloi xhirot e para i rivalizuar nga Oscar Piastri dhe Max Verstappen deri në përmirësimin e kushteve klimatike që u shoqëruan me ndryshimin e gomave deri në pjesën e dytë të garës.
Kthimi i reshjeve të shiut i dërgoi dy makinat McLaren në bar duke detyruar pjesën dërrmuese të piloteve të kthehen në bokse për gomat e shiut.

Ndërsa britaniku ja doli të kthehej shpejt në pit lane, Piastri humbi shumë kohë në kthesën e parafundit gjatë rekuperimit.
Një sërë situatash që pasuan i dhanë mundësi Kampionit të Botës, Verstappen të merrte kryesimin. Kjo nuk zgjati për shumë xhiro pasi kushtet e paqëndrueshme e detyruan holandezin të kthehej në bokse duke i dorëzuar Norris vendin e parë.
Pas hyrjes së fundit të “Safety Car” për shkak të përplasjes mes Gabriel Bortoleto-s dhe Liam Lawson, Norris u gjend nën sulmin e Verstappen mbi një pistë të rrëshqitshme edhe për shkak të avantazhit të DRS.
Mirëpo britaniku ishte mjaftueshëm përpara për të ruajtur fitoren ndaj rivalit të vitit 2024 ndërsa George Russell kompletoi podiumin për Mercedes përpara Kimi Antonelli dhe Williams-it me Alex Albon.

Antonelli u penalizua për dalje të rrezikshme nga pit lane duke u renditur fillimisht pas Albon por shumë shpejt u rikthye në vendin e 4 pas garës.
Aston Martin dhe Lance Stroll u renditën në vendin e 6 përpara Sauber të Nico Hulkenberg, Ferrari-t të Charles Leclerc dhe heroit vendas Oscar Piastri.
Lewis Hamilton që pati një kryesim të shkurtër të garës u detyrua të pranonte vendin e 10 duke marrë pikën e parë në debutim për Ferrari-n i ndjekur nga Alpine dhe Pierre Gasly përpara Racing Bulls dhe Yuki Tsunoda-s. Gara e dytë do të zhvillohet të dielën e ardhshmë në Kinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.