Kosova

Normalizimi i raporteve / Kurti: Nuk është Asociacioni prioritet por marrëveshja. Serbia shkeli 8 nga 11 nenet

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioriteti kryesor për normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë – por Marrëveshja bazë mes dy vendeve.

Kurti i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili, teksa po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë, tha se Asociacioni duhet të formohet, por jo duke krijuar një mikro-shtet brenda Kosovës.

Pas takimit me kryeministrin irlandez, më 11 janar, Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit mos veçohet, siç tha ai, nga paketa e marrëveshjes bazike.

“Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti, ndërsa shtoi se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”. Për këtë, ai kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian.

“Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.

Kurti gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Irlandës, 11 janar

Udhëheqësi irlandez ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është jetik për zhvillim të mëtejshëm të vendeve. Varadkar ka thënë, po ashtu, se është e rëndësishme që “stabiliteti të konsolidohet në Kosovë”, duke shtuar se nuk dëshiron të shohë “kthim të skenave të dhunshme si ato në maj dhe në shtator”.

Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Varadkar shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

Irlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008.

“Kryeministri Kurti dhe unë pajtohemi që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe më shumë endje do ta përkrah Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet, dhe të fillojmë edhe procesin e negociatave me Bashkimin evropian për anëtarësim edhe atje”, tha ai.

Varadkar tha se qëndrimi i qeverisë irlandeze është që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen.

Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë