Trashëgimi

‘Nona’, festivali që shkund brezin e tretë dhe mbledh gjyshet nga e gjithë Shqipëria në Përmet

Nga Gazeta Si - Nga dita e sotme njerëzit kudo në qytetin e Përmetit do shohin gjyshe, jo gjyshet tipike, por gjyshe kameriere, një gjyshe që të fton te restoranti, një gjyshe piktore...

Festivali “Nona” apo Festa e Gjysheve Shqiptare rikthehet sërish në qytetin e vogël të luleve në Përmet, tanimë në edicionin e katërt.

Festa që do të sjellë për tre ditë rresht aromë tradite e ku priten të të jenë të shumtë edhe vizitorë vendës e të huaj nis sot me vizita nëpër shtëpi tipike përmetare, ku gjyshet duararta ndajnë sekretet e gatimeve të tyre.

“Kemi zgjedhur Përmetin sepse i shkon si qytet. Zakonisht në festival mblidhen gjyshe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Ne nisim duke bërë vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare. Grupe të caktuara i çojmë në shtëpi të ndryshme dhe sot do shkojmë te gjyshe Donika, e cila tregon se si i gatuan glikotë, sa nikoqire është një gjyshe përmetare, sa të përbashkëta kanë me gjyshet e tjera”, thotë për Gazetën “Si” organizatori i këtij festivali, Bledi Mane.

Festivali që për tri ditë do të ketë kryefjalë gjyshet do të vijojë me panairin, i cili çelet në mbrëmje në sheshin e qytetit ku gjyshe të ndryshme, jo vetëm nga Përmeti, por edhe nga Korça, Vlora, Tirana etj do të ekspozojnë prodhimet e tyre, në gatime dhe në punë dore.

Në panairin e prodhimeve të gjysheve njerëzit mund të provojnë, testojnë e degustojnë gatimet tradicionale, si dhe të blejnë dhe të marrin edhe kartolinën e festivalit dhe të luajnë për dhurata.

“Njerëzit e vizitojnë panairin, blejnë dhe gjatë kohës kur blejnë pajisen dhe me një kartolinë të festës dhe çdo natë ne japim dhurata të ndryshme, ndërsa natën e fundit një makinë”, thotë më tej Mane, ndërsa shton se “këtë e bëjmë për të nxitur njerëzit të konsumojnë sa më shumë nga gatimet e gjysheve”.

Përpos panairit, ky festival do të organizojë edhe koncerte për tre net rresht, ku të ftuar do të jenë edhe artistë të moshës së tretë.

Gjatë tre ditëve të festës do të performojnë artistët e njohur të sazeve të Përmetit, këngëtarët Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Kozma Dushi, Vaskë Curri etj.

“Vazhdojmë me koncertin e madh ku kemi të ftuar Sazet e Përmetit, këngëtarët Liljana Kondakçi, Luan Zhegu, Kozma Dushi, Eranda Libohova, parodistët e Vlorës dhe festa vazhdon deri pas mesnate me Lapidar Party matanë urës me DJ Miss Rose!”, shprehet organizatori.

Sipas Manes, festivali ka si qëllim që të japë idenë e një brezi të tretë jo klasik.

“Qëllimi është jo të shfaqim gjyshe tipike që ankohen, por gjyshe që përtej moshës janë aktive. Duam ta shkundim brezin e tretë, jo vetëm të na ankohen, por të na tregojnë që janë akoma energjike, ndaj zgjedhim edhe emra të spikatur”, vijon Mane.

Motoja e këtij viti është ‘respekt, dashuri, trashëgimi’. Si organizator i këtij eventi, Mane thotë se duam të sjellim në vëmendje të publikut kontribute të brezit të tretë dhe trashëgiminë që ruhet e vazhdon brez pas brezi.

“Pra, qëllimi i këtij edicioni është përpos dashurisë që na japin dhe u japim, e rëndësishme është trashëgimia. Kemi edhe fokus të promovojmë agroturizmin e zonës”.

Në ditët në vijim do të vijojnë edhe ëorkshope me gjyshet artizane, ku gjyshet e Vlorës, Korçës dhe Përmetit, do të ndajnë detaje rreth punëve të tyre të dorës.

Duke pasur parasysh edhe tri edicionet e mëparshme ku ka pasur vizitorë të shumtë, të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës, edhe qëllimi i këtij viti është që të zgjerohet sa më shumë gjeografia.

“Duam që ta bëjmë një festë sa më kombëtare, jo të lokalizuar. Ta shpërndajmë sa më shumë gjeografinë. Ndaj dhe gatimet janë të zonave të ndryshme në mënyrë që edhe të ndahen eksperienca. Është shumë bukur që të promovohen këto festa jashtë Tiranës, për të thënë që edhe aty ka njerëz dhe duhet të gjallojë qyteti se Tirana dihet që është e ngopur dhe aktive”.

Dita e dytë e festivalit do të vijojë me rafting në Vjosë, ndërsa në mbrëmje panairi me gatimet e gjysheve dhe koncerti nga Sazet e Përmetit, si dhe të ftuar këngëtarët Soni Malaj, Sabiani, humoristi i Portokalli Braçe kamerieri.

Ndërsa në ditën e tretë do të jenë në qendër të vëmendjes gjyshet piktore. Po ashtu do të vazhdojë panairi i gatimeve nga duart e gjysheve, si dhe koncerti në darkë me këngët e Vaskë Currit dhe Ponit.

“Festivali i gjysheve” organizohet nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Përmetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë