Politike

‘Non grata’ për Bularatin, eurodeputetja e shumëkërkuar edhe në Azerbajxhan

“Titull nderi për mua. Ky vendim nuk do të zbehë pasionin dhe bindjen time për të luftuar për të drejtat e grekëve në Vorio Epir”. Kështu e cilësoi eurodeputetja qipriote, vendimin e autoriteteve shqiptare që e shpallën person të padëshirueshëm në Shqipëri.

Por kush është Eleni Theocharous? Ajo ka lindur më 24 qershor të 1953. Ka përfunduar studimet si kirurge pediatre dhe zotëron disa tituj e çmime për punën e saj. Në 2001 Theocharous zgjidhet për herë të parë deputete në Parlamentin e Qipros.

Në vitin 2009, politikania qipriote zgjidhet anëtare e Parlamentit Europian, mandat që e fiton edhe në vitin 2014. Grupi ku bënte pjesë ishte e djathta e Partive Popullore Europiane. Por, e pakënaqur me “tolerimet” që partia e saj deri në atë kohë i kishte bërë Turqisë, në 2016 vendos që të shkëputet dhe të themelojë Lëvizjen për Solidaritet.

Qëndrimet e forcës politike që drejton janë të ekstremit të djathtë dhe veten e përshkruan si një aktiviste në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të grekëve kudo që ata ndodhen. Ajo është e famshme për deklaratat kundër Turqisë në Parlamentin Europian dhe për aktivizimin në mbështetje të armenëve në konfliktin me Azerbajxhanin për rajonin e Nagorno-Karabakit.

Pikërisht për këtë aktivizim, në Azerbajxhan, Eleni Theocharous jo vetëm që është person “non grata”, por ndodhet në listën e personave shumë të kërkuar nga autoritetet e Bakut.

Deklaratat e saj kanë tërhequr shpesh vëmendjen e zyrtarëve të tjerë të Parlamentit Europian, aq sa konsiderohet një person i pabesueshëm dhe shpesh nxitëse e urrejtjes dhe përçarjes, edhe mbi baza fetare.

Në fakt, eurodeputetja ka një lidhje të fortë me kishën ortodokse greke dhe shpesh poston në rrjetet sociale aktivitetet e ndërmarra së bashku me klerikë, të cilët shpesh janë të rrymës konservatore brenda vetë këtij institucioni.

Për të ashtuquajturin “Vorio Epir”, ajo nuk foli për herë të parë pas e vrasjes së Konstantinos Kaçifas në Bularat pas shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA, më 28 tetor. Ajo vizitoi disa herë familjen e ekstremistit 35-vjeçar dhe ndonëse ndodhej në territor shqiptar nuk ngurroi që të flasë me gjuhë dhe terma të njëjtë me ato të përdorura nga Agimi i Artë.

“Grekët e Vorio Epirit po vuajnë nën një regjim të tmerrshëm dhe qeveritë grekë duhet të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur”, deklaronte ajo.

Në 2016, gjatë një ndalese në Himarë, eurodeputetja qipriote, kur sapo kishte formuar lëvizjen e saj ekstremiste lëshon disa deklarata të mjaftueshme për ta shpallur person “non grata” që atëherë.

“Që atëhere kur kemi formuar Frontin për Epirin kanë kaluar gjithë këto vjet dhe asgjë nuk është bërë. Ne ndjejmë detyrimin të mbrojmë të gjitha të drejtat e vorio-epirit. Greqizmi i vorio-epirit do ishte në rregull nëse qeveritë në Greqi do t’i jepnin rëndësinë e duhur dhe duhet të ndodhë pa pretendime për territoret greke që ndodhen këtu dhe pa rezistencën dhe irredentizmit të myslimanëve”, deklaronte ajo.

Ndalesa në Himarë vinte pak ditë pasi në Parlamentin Europian ishte diskutuar raporti i radhës i Knut Fleckenstein mbi ecurinë e integrimit të Shqipërisë. Ajo i konsideronte votat pro integrimit të palës greke si të nxituara.

“Ky vend ka nivel të lartë korrupsioni dhe krimi dhe ushtron presion tek minoritet. Shqipëria është një vegël e Turqisë duke lejuar shkollat për myslimanët”, shprehej ajo më tej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë