Politike

Noka: Me ju ka vetëm një gjuhë, mosbindje civile. Sillo dhe Nafija para përgjegjësisë! Spiropali: Kurseji metaforat!

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i PD Flamur Noka dhe kryeparlamentarja Elisa Siropali kanë shkëmbyer replika me njëri-tjetrin në seancën plenare.

Noka teksa iu referua vendimit të SPAK për të mos filluar procedimin ndaj deputetëve që dogjën karrige, i tha Spiropalit se së bashku me Ministrin e Brendshëm duhet të mbajnë përgjegjësi, pasi në Kuvend u fut policia e shtetit.

Noka sulmoi ashpër mazhorancën, duke paralajmëruar se “mosbindja civile do vazhdojë” deri në shkrehjen e mazhorancës siç e quajti ai.

“Ne jemi këtu për betejë, për këtë të jeni të sigurt. Buxheti nuk është i juaji, sepse buxhetin e keni trajtuar si plaçkë tregu, tufë hajdutësh që jeni vërsulur mbi të. Ne do u themi shqiptarëve se çfarë ishte buxheti i vitit 2023, ku shkuan taksat e tyre, kush i vodhi dhe çfarë duhet të bëjmë”, tha Noka.

Teksa përdori edhe epitete për miza dhe hajdutë, ai e quajti kryeministrin “shoku Sillo” dhe Spiropalin si “Nafije”. Kryeparlamentarja e këshilloi që t’i kursejë metaforat.

Pjesë nga debati

Noka: Mllefin tuaj e rrëzoi edhe Skapi i partisë, sapo ka pushuar çështjen për Elda Hotin dhe deputetët që dogjën karriget. Ministri i Brendshëm duhet të japë përgjigje para ligjit, ti zonja Nafije ke futur policin e shtetit, sepse këtu duhet të jetë vetëm garda. Kjo tregon mllef ndaj opozitës dhe tentativë për ta terrorizuar opozitën ! E di si na dukeni ju? Si miza, prandaj do t’ju krehim.

Spiropali:  Flamur po e marr për replikë. I ke pak të vjetëruara këto metaforat dhe krahasimet, por mua më kishe munguar në këtë foltore. Ku ta gjej që të jeni këtu që të diskutojmë. Keni bërë mirë që jeni këtu, se qytetarët duhet t’ju dëgjojnë. Por ato metaforat kurseji pak se nuk shkojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë