Politike

Noka: Jemi të bashkuar, modalitetet, në përfundim. Bardhi: Rama, trafik votash me Bashën për zgjedhoren  

Gazment Bardhi mblodhi grupin parlamentar të PD-së për herë të parë pa praninë e Sali Berishës i cili ndodhet në arrest shtëpie.

Mbledhja kësaj here është drejtuar nga Bardhi dhe Noka.

Ky i fundit pas mbledhjes së grupit tha se në takim u diskutua për modalitetet për bashkimin e opozitës.

“Grupi është i bashkuar, edhe PD është e bashkuar, modalitetet janë në përfundim. Ajo që diskutuam, format dhe mënyrën e aksionit tonë, vazhdimësinë dhe përshkallëzimit drejt aktit final të mosbindjes civile. Parlamenti zhvendoset nga parlamenti i narkoqeveritarëve, në parlamentin e rrugës së shpresës ”, tha ai.

Ndërkohë, Gazment Bardhi, në një dalje për mediat pas grupit, tha se opozita do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dy ligje. Ai atakoi edhe Bashën kur tha se do të bëjë pazar votash me Ramën për reformën zgjedhore.

“Në vend të reflektimit për të kryer parlamenti funksionin e kontrollit  mazhoranca i është përgjigjur me arrogancë, me ndryshime të njëanshme. Në emër të Grupit i bëj thirrje Presidentit të bëhet garant i Kushtetutës. Ky është funksioni i tij dhe duam të besojmë se Presidenti do të ngrihet në lartësinë e detyrës.

Së dyti sa i takon Reformës Zgjedhore, doli qartë skenari i pozitës se pse kërkon të mbajë të bllokuar punën përmes përcaktimit prej tyre të përfaqësuesve të opozitës në Komision, sepse Rama do ta trajtojë reformën si mall që shitet në treg, përmes trafikimit të votave opozitare. Shpreh keqardhje që një pjesë e vogël e kolegëve konfirmuan dje që janë në këtë tentativë.

Mu kujtua i njëjti justifikim i 2020, deputetë që nuk përfaqësonin opozitën reale, në emër të listave të hapura, shkuan në Kuvend dhe bashkuan votat me Ramën, për të hequr koalicionet. Që ishte formula që i jepte fitoren opozitës. Skenar i dalë bojë tashmë.

Së treti kemi vendosur t’i drejtohemi Kushtetuese për kundërshtimin e ligjit që i hap rrugë vjedhjes së Portit të Durrësit, dhe i dyti ka të bëjë me ligjin që rrit tatimin mbi fitim për profesionistët e lirë”, tha ai.

Duke atakuar Bashën, Bardhi tha se pushteti i Ramës nuk rrezikohet nga divani i shtëpisë.

"Së pari unë nuk kam ndezur tymuese, por më mirë ndez tymëse sesa rri në shtëpi. Qytetarët na kanë mandatuar për të shkuar në seancë plenare, ndërsa Basha mendon se dëm Edi Ramës mund ti bëjë duke qëndruar në shtëpi

Unë kam zgjedhur formën e përballjes me Ramën. Basha mund të mos jetë dakord me këtë formë, por duhet ta gjejë vetë një formë përballje me Edi Ramën., Unë nuk di që duke qëndruar në shtëpi ti përballesh me regjimin e Ramës dhe je duke rrezikuar pushtetin e tij nga divani i shtëpisë.

Sa i takon i interesit tim personal, ekzaktësisht nuk do të luaj për interesin tim personal, kam mbajtur qëndrim që nuk i kanë pëlqyer zotit Basha, por qëndrimi im ka patuar dhe ka një qëllim, interesin e demokrateve dhe opozitës", tha Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë