Nga Gazeta ‘Si’- Një incident u shënua gjatë fjalës së kreu të Grupit të PS-së, Taulant Balla në Kuvend. Teksa po fliste për Avokatin e Popullit, në një moment deputeti demokrat Flamur Noka i thotë “injorant”, gjë që shkaktoi edhe reagimin e Ballës, i cili ndërpreu fjalën dhe më pas kërkoi që të nxirrej jashtë.
“Ky zotëria duhet të dalë përjashta, unë e ndërpres fjalën. Derisa të dalë ky jashtë”, tha Balla.
Pas rinisjes së seancës Balla i kujtoi Nokës gafën që bëri nga Vlora për Ditën e Pavarësisë kur tha se flamurin e kishte ngritur Skënderbeu.
‘Kur të fyen ky i vetmi Flamur që nuk e di kur është ngritur Flamuri është fundi i botës”, tha Balla.
Më herët, gjatë fjalës së tij, Balla i ironizoi demokratët për situatën e krijuar për Avokatin e Popullit. Ai tha se folësit demokratë më herët në Kuvend kërkuan ndryshimin e rendit të ditës, por asnjëri prej tyre nuk dha asnjë argument se përse do të duhej që të bëhej një gjë e tillë.
Ai iu drejtua duke iu thënë që nëse flisni për lepuj duhet të përmendin edhe zagarë.
“Njëri i bie patkoit, e tjetri gozhdës. Asnjeri nuk ka sqaruar se përse kjo çështje duhet të ikë nga rendi i ditës. Dëgjova batuta, tallje, njëri fliste për lepuj, por po hytë te lepujt duhet të flisni edhe për zagarët. Se lepurin në pritë e nxjerr zagari. Po i hytë këtij diskutimi bujrum se do t’ju lexoj unë listën.”, tha ai.
Më tutje, ai shtoi se demokratët po tallen me Besim Ndregjonin, kandidat për postin e Avokatit të Popullit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




