Nga Gazeta ‘Si’- Në komisionin për Çështjet e Brendshme, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ngriti akuza të rënda për Policinë e Shtetit dhe lidhjeve të supozuara me kartelet kriminale.
“Jemi i vetmi vend ku drejtorin dhe nëndrejtorin e Policisë së Shtetit nuk i ka caktuar ligji; jemi i vetmi vend që drejtorët e Policisë i përcaktojnë kartelet. Ilir Proda është emërtesë e Suel Çelës. Neritan Nallbati, nëndrejtori i krimit të organizuar, është emërtesë e kartelit Troplini”, tha Noka.
Ai shtoi se flitet për pagesa mujore që zyrtarët marrin nga kartelet për t’u shërbyer:
“Po të dëgjoni, flitet për pagesa mujore që këta zotërinj marrin nga kartelet për t’u shërbyer. Nuk e kam për ju, zonja ministre; me policinë nuk keni punë, ju ua ka kufizuar kryeministri punën, merruni me gjendjen civile, po flas për Policinë e Shtetit”, tha Noka drejtuar Albana Koçiut.
Ai gjithashtu kritikoi Koçiun për mungesën e vëmendjes ndaj krimeve zgjedhore gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se ajo nuk ka folur për këtë çështje gjatë raportimit.
“Kartelet vendosin për jetën e qytetarëve, ata caktojnë kush do jetojë dhe kush do vritet. Tani unë do doja që zonja ministre të ishte pak e shqetësuar edhe për krimet zgjedhore, sepse kemi kaluar edhe një vit zgjedhor, por siç e dëgjuat, zonja ministre nuk belbësoi asnjë gjë për këtë.”, tha Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



