Politike

Noka: 11 korriku hapi i parë, më pas mosbindje civile dhe kryengritje

Gjatë një fjale të mbajtur në Kuvend, deputeti i PD, Flamur Noka u bëri thirrje shqiptarëve që me 11 Korrik t’i bashkohen thirrjes së opozitës për të protestuar para kryeministrisë.

“...Nuk besoj se ka qeveri në botë më të korruptuar se kjo, sepse kjo është e korruptuar gjer në palcë, me bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit të zhytur në afera, disa prej të cilëve janë në burg, e faktuar se qeveria nuk vjen vetëm taksat e shqiptarëve, u kapën duke vjedhur edhe fondet e BE-së dhe ti lejë fermerët shqiptarë me gisht në gojë, sot e kësaj dite.

E faktuar si qeveria që ndau 450 mln euro taksa të shqiptarëve për inceneratorët inekzistentë.

E faktuar si qeveria më e inkriminuar në histori e zhytur kokë e këmbë në krim, me krerët e bandave, shtabe elektorale të Edi Ramës dhe të rilindjes.

E faktuar si shumica që prodhoi organizatën kriminale ‘5D’ të vjedhjes 100%. E paimagjinuar ndonjëherë nga një shoqëri kjo, e padëgjuar dhe e panjohur në botë.

Ju jeni faktuar si qeveri që solli varfëri dhe mjerim, si qeveria që detyroi 1 mln shqiptarë të braktisin vendin, gjë që nuk e kishte bërë dot asnjë pushtues”, tha ai.

Përballë kësaj qeverie, Noka tha se ka vetëm një rrugë; mosbindje civile dhe kryengritje.

“Ndaj 11 korriku është hapi i parë. 11 korriku është dita kur shqiptarët do të vërshojnë në bulevardin ‘Dëshmorët  e Kombit’ përballë simbolit të së keqes për të protestuar dhe për t’i thënë ndal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë