Ngjarje

Nju Jorku mbyll piceritë me furra druri, pronarët kundërshtojnë: Do ndryshojë shija

Piceritë dhe restorantet në Nju Jork nuk do të mund të bëjnë më pica në furra me dru apo qymyr, sipas rregullave të reja për mbrojtjen e mjedisit.

Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit në Nju Jork, ka hartuar rregulla të reja sipas të cilave restorantet që përdorin metodën e pjekjes me furrë druri të reduktojnë emetimet e karbonit deri në 75%.

Zyrtarët e Departamentit të Mjedisit u shprehën se të gjithë banorët e Nju Jork meritojnë të thithin ajër të shëndetshëm dhe furrat e drurit dhe qymyrit janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj të ndotësve të dëmshëm në lagjet me cilësi të dobët të ajrit.

Rregullat e reja mund të kërkojnë që piceritë me furra të tilla të blejnë pajisje të shtrenjta të kontrollit të emetimeve, të cilat sipas pronarëve të restoranteve, kanë një kosto minimale që shkon deri në 20 mijë dollarësh.

Zyrtarët parashikojnë se rreth 100 piceri do të preken nga masa e re. Shumë pronarë restorantesh kanë thënë se një masë e tillë do të ndikojë edhe në shijen e picës.

“Nëse ndryshon temperatura në furrë, ndryshon shija. E gjithë furra është e krijuar për të bërë picën e përsosur. Është shkencë dhe me ndryshimet e reja, çdo gjë do të ndryshojë, edhe shija e picave”, ka thënë një nga pronarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë