Gazeta Si – Në kronikat e para që nisën të qarkullojnë rreth pamjeve të sigurisë për Tyler Robinson i dyshuari, ende pa rrëfyer për vrasjen e Charlie Kirk, disa burime pohuan se ai çalonte qëllimisht, me qëllim që të mos njihej nga softueri që identifikon njerëzit nga mënyra e ecjes.
E vërteta është se secili prej nesh ka një mënyrë unike të ecuri, siç thoshte Nanni Moretti, “çdo mënyrë ecjeje është një konceptim i ndryshëm i botës”.
Megjithatë, shumë më e mundshme është që Robinson kishte fshehur një armë në pantallona, gjë që i pengonte lëvizjet. Gjithsesi, ideja që dikush mund të identifikohet vetëm nga mënyra si ecën është shqetësuese.
Por akoma më shqetësuese është ajo që po ndodh realisht me qytetarët e Nju Jorkut. Ata janë të përgjuar fizikisht nga mijëra kamera sigurie dhe dronë dhe po ashtu të monitoruar edhe në rrjetet sociale. Policia i ka të dhënat e thuajse të gjithëve: ku shkojnë, me kë shoqërohen dhe pse.

Këto zhvillime janë trajtuar me detaje në një artikull të “New York Times”, që tregon se mbikëqyrja digjitale, edhe pse një problem i njohur për privatësinë, ka arritur tashmë një nivel që pak e kuptojnë plotësisht.
Sipas gazetës, policia e Nju Jorkut shpenzuar mbi 4 miliardë dollarë për të grumbulluar të dhëna mbi qytetarët pa ndonjë urdhër gjykate apo autorizim ligjor. Gazetarja Elizabeth Daniel Vasquez shkruan:
“Nëse lëviz me makinë, algoritmet e policisë mund të parashikojnë me saktësi se në ç’orë do të kthehesh në shtëpi të mërkurën e ardhshme dhe çfarë rruge do të ndjekësh për atje. Kompjuterët e qytetit përpunojnë vazhdimisht e në mënyrë pasive këto të dhëna, në rast se mund të nevojiten më vonë një version real i filmit Minority Report”.
Çfarë e bën edhe më shqetësuese këtë mbikëqyrje është fakti që ajo është e planifikuar. Nëse je një adoleshent që jeton në lagjet e varfra të Bruklinit, ke shumë gjasa të përfundosh në databazën e grupeve kriminale një listë prej 13 mijë emrash, 99% e të cilëve janë afro-amerikanë. Dhe kur të jesh aty, je tashmë pjesë e një makthi.
Nëse poston në rrjetet sociale, mund të kontaktohesh nga “miq” të panjohur që do të të bëjnë pyetje të çuditshme në fakt, janë agjentë të infiltruar.

Si person i dyshimtë, do të ndalohesh shpesh dhe mund të çohesh në komisariat për t’u marrë në pyetje. Në ato raste, do të të sekuestrojnë celularin dhe vetëm në vitin 2024, kjo ndodhi mbi 24 mijë herë.
Përmes telefonit tënd, do të gjejnë sigurisht të tjera të dhëna kompromentuese. Mund të të marrin edhe një mostër të ADN-së.
Pasi të jesh shënjestruar si i dyshimtë, të gjithë do të të shmangin: fëmijët e tjerë nuk do të të flasin, prindërit do të të izolojnë. Siç shkruan Vasquez: “Paranoja po përhapet si një sëmundje ngjitëse”.
Rasti i Henry Jelani-t është domethënës. Ai u arrestua në Nju Jork për një vrasje të dyfishtë, thjesht, sepse përshkrimi i autorit ishte: afro-amerikan dhe i gjatë.
Për më tepër, kishte bërë disa pëlqime në Facebook ndaj një grupi lokal që autoritetet e konsideronin një gangster.
Pas 19 muajsh burg dhe 9 muajsh në izolim, Jelani u lirua dhe akuza u hodh poshtë. Por gjithçka mbetet në dosjen e tij.
Një tjetër rast, është ai i Leqaa Kordia, një palestineze që jetonte në Nju Xhersi. Në vitin e kaluar, ajo mori pjesë në një protestë para Universitetit Columbia.

U ndalua dhe u la menjëherë e lirë, pasi nuk kishte shkelur ligjin. Megjithatë, dosja e saj iu dorëzua nga policia e Nju Jorkut, agjencisë federale për emigracionin (ICE), që tani po përpiqet ta deportojë.
Edhe më tronditëse janë rastet që lidhen me të drejtat riprodhuese. Nëse je një grua nga Utah, një shtet ku aborti është i ndaluar dhe vendos të shkosh në Nju Jork për të ndërprerë shtatzëninë (ku është ende ligjore), autoritetet e shtetit tënd mund të kërkojnë dhe marrin të dhëna nga policia e Nju Jorkut për të zbuluar nëse ke qenë në klinikë dhe me kë.
Dosja jote do të pasurohet edhe më tej. Nëse dikur ishe një adoleshent në rrezik, tani je një i rritur i shantazhuar.
Çdokush mund të ketë akses në informacionin tënd: që ke qenë pjesë e një bande, që ke kryer abort, që ke kritikuar presidentin në rrjetet sociale, apo që ke marrë pjesë në protesta.
Thuhet se gjithnjë e më shumë njerëz tani dalin në protesta pa celularë, nga frika e identifikimit. Por burimet e mbikëqyrjes janë bërë tashmë të pafundme. Dhe ligjet që do të duhej të rregullonin këtë realitet nuk ekzistojnë.
Nën administratën Trump, kjo formë kontrolli u përforcua. Departamenti për “efikasitetin qeveritar” kërkoi këtë vit që të hiqen barrierat mes databazave të ndryshme, me synimin për të krijuar një dosje unike për çdo qytetar.
Ndërkohë, qeveria federale ka zgjeruar ndjeshëm kontratat me “Palantir”, kompania e themeluar nga Peter Thiel, një figurë që disa e përshkruajnë si të fiksuar pas “Antikrishtit” dhe që sot përfaqëson një formë të re, të fuqishme të “deep state”-it teknologjik.
Marrë nga: “Corriere della Sera”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



