Gjithmonë në futboll kur kalon një epokë e artë, flitet për talentet që do marrin stafetën. Me Ronaldo dhe Messi që po shikojnë drejt perëndimit të karrierës së tyre, të tjerë yje të futbollit botëror pritet që të shpërthejnë dhe të marrin vëmendjen kryesore. Mbappe, Hazard, Neymar, Dybala, Asensio apo Harry Kane janë futbollistët që pritet të dominojnë skenën futbollistike për të paktën 10 vitet e ardhshme.
Por përtej këtyre emrave, gazeta Italiane Corriere Dello Sport ka shkuar pak më tej në kohë, duke pikasur 12 talentet e futbollit nën moshën 19 vjeç që kanë filluar të spikasin këtë sezon.
Lista e të rinjve është me një dominim të futbollistëve europian, që vijon të prodhojë talente pa fund në akademi të ndryshme. Por edhe ata që vijnë nga Amerika Latine, sërish premtojnë se do e ruajnë traditën e këtij kontinenti që ka nxjerrë talentet më të mëdha në historinë e këtij sporti.

Moise Bioty Kean është futbollist italian me origjinë afrikane, në pronësi të Juventusit. Vetëm 18 vjeç, ai ka disa ndeshje me ekipin e parë të Juventus, teksa tashmë është i huazuar te Verona në Serie B, për të akumuluar sa më shumë përvojë.

Pietro Pellegri, ose siç ndryshe quhet shpresa e madhe e futbollit italian luan në skuadrën e Monako. Ai bëri debutimin e tij me Genoa që në moshën 16-vjeçare dhe ende pa mbushur 18 vjeç u shit për shifrën e jashtëzakonshme, të 35 milionë eurove.

Phil Foden është 18 vjeç dhe është pjesë e Manchester City. Ai është pikasur nga Pep Guardiola dhe po vëzhgohet nga afër për ta ndjekur hap pas hapi dhe në momentin e duhur do të grumbullohet me ekipin e parë të kampionëve anglez

Ethan Ampadu ka filluar të konsiderohet si trashëgimtari i denjë i Gareth Bale te kombëtarja e Uellsit. Ampadu luan me ekipin e të rinjve të Chelsea dhe konsiderohet si e ardhmja e qendërmbrojtësve.

Timothy Weah është një nga më të njohurit e kësaj liste, jo vetëm për cilësitë që disponon, por edhe se mbiemri që mban mbi shpinë është shumë i rëndë. Ai është djali i George Weah dhe këtë sezon ka filluar të grumbullohet me ekipin e parë të PSG. Është qendërsulmues si i ati dhe të luash me PSG në kohën kur rival në repart ke emra si Neymar, Mbappe apo Kavani, pa diskutim që tregon se djaloshi bart një talent shumë premtues.

Willem Geubbels edhe ky bashkë me Pellegri janë pjesë e gjeneratës së re të talenteve që po përgatitet të nxjerë Monako. 17 vjeç dhe me kombësi franceze, Geubbels shikohet si një nga sulmuesit që në të ardhmen mund të luftojë për të fituar Topin e Artë.

Jadon Sanchez luan me Borusia Dortmund. Me origjinë nga Trinidad Tabako dhe pasaportë angleze, Sanchez po shkëlqen këtë fillim sezoni si sulmues krahu tek gjermanët.

Sergio Gomez është një tjetër talent që aktivizohet me Borusia Dortmund, por që është me kombësi spanjolle. Ai luan në pozicionin e mesfushorit të avancuar dhe vlerësohet shumë për teknikën e tij.

Abel Ruiz është një talentet e pakta që Barcelona po prodhon në vitet e fundit. Ai luan në rolin e qendërsulmuesit dhe duke filluar që nga sezoni i shkuar është një nga lojtarët kryesorë te Barcelona B.

Vinicius Junior është lojtari i blerë më shtrenjtë në këtë listë. Real Madrid e mori brazilianin nga nga Santos këtë verë edhe pse e kishte blerë që vitin e shkuar për shifrën e 40 milionë eurove. Në javën e fundit ai bëri edhe debutimin me Real Madrid në La Liga, teksa në ndeshjen e parë në Champions League nuk u grumbullua me ekipin.

Mollejo është një talent që po rritet nën kujdesin e veçantë të Diego Simeone te Atletico Madrid. Vetëm 17 vjeç, por këtë sezon ai është bërë pjesë e skuadrës së parë të Atletico. Mollejo luan si anësorë dhe do të ketë çfarë të mësojë nga Antonie Grizmann.
Rodrygo është braziliani i dytë në këtë listë. Ashtu si patrioti i tij Vinicius, Rodrygo luan më Santos, por është blerë nga Real Madrid dhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e ekipin “Los Blancos”. 17-vjeçari luan në krahun e sulmit dhe mos u habisini nëse pas 5 ose 6 vitesh dy krahët e sulmit të kombëtares braziliane të jenë Vinicius dhe Rodrygo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.