“Nji prej nesh”, filmi i parë i regjisorit Ergys Meta, pas premierës ndërkombëtare në festivalin e Cottbusit u shfaq mbrëmë në Kinema Millennium në Tiranë.
“Nji prej nesh” është historia e Sulës, një efektivi policie, i cili vuan nga çrregullimet e stresit posttraumatik. Gjendja e tij rëndohet në kontakt me realitetin e përditshëm toksik të kryeqytetit. Ai ndjen se duhet të bëjë diçka që t’i japë kuptim jetës së tij. Por deri ku është i gatshëm të shkojë Sula për të bërë drejtësi, në një qytet ku korrupsioni ka kapur majat e hierarkisë së pushtetit?
“Nji prej nesh” është një udhëtim eksplorues brenda mendjes së një personi çfarëdo, i cili ndihet i përgjegjshëm të bëjë diçka të rëndësishme për botën që e rrethon.
Duke shpjeguar se përse ka zgjedhur që vepra e tij e parë të jetë kjo, Ergys Meta thotë se ka dashur të denoncojë një anomali shoqërore, duke e treguar këtë ngjarje në mënyrë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë.
Stili i filmit, Ballkan neo-noir metropolitan është një zhanër i cili ka gjetur një terren të begatë në botën e sotme të ngopur me filma me superheronj.
Kryesisht sepse neo-noir rrotullohet rreth një personazhi në petkun e një dedektivi që lufton i vetëm dhe me mjete jo të zakonshme për të zgjidhur një mister, duke e bërë të jetë një antihero. Për regjisorin Ergys Meta historia e treguar nga këndvështrimi i antiheroit ka një kuptim që shkon përtej moralit.
Filmi do të qëndrojë në Kinema Millenium dhe Cineplex në TEG për dy javë. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.