Analize

Njeriu i Trumpit për Ballkanin, ç’duhet të presin Kosova dhe Shqipëria

I zgjedhur nga presidentit Donald Trump si për të udhëhequr Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker duket se është rikthyer pas dy dekadash në Ballkan, për të vazhduar misionin që la përgjysmë, arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Dorëheqja e papritur e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane, Wess Mitchell, bëri këtë muaj që shumë ekspertë të pyesin veten nëse se si do të ndikonte kjo në qasjen amerikane ndaj Ballkanit, dhe veçanërisht ndaj dialogut Kosovë Serbi.

Por emërimi i pasardhësit të tij ka treguar edhe njëherë se politika e jashtme amerikane padyshim nuk është kompetencë e një njeriu të vetëm. Philip Reeker nuk është një qemer i panjohur për Ballkanin dhe shqiptarët, pasi diplomati i njohur i cështjeve të rajonit, shërbeu si ambasador i SHBA-së në Shkup nga viti 2008 deri në vitin 2011. Zgjedhja e tij nga Shtëpia e Bardhë duket të jetë gjithçka përveçse rastësi, pasi Reeker ka shërbyer po ashtu gjatë vitit 1999 si zëdhënës i Christoher Hill ndërmjetësit amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi.

Gjatë vitit 2013 kur u arrit marrëveshja për fillimin e dialogut të ndërmjetësimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, Reeker ishte në postin e Zv/ndihmësit të Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe ishte personalisht i angazhuar në këtë proces. Gjatë karrietrës së tij politike, Reeker ka shërbyer edhe si ndërmjetës mes opozitës dhe qeverinë në vitin 2012, gjatë përplasjeve për zgjedhjen e presidentit.

Philip Reeker

Edhe pse duket sikur është rikthyer dy dekada më vonë, për të vazhduar punën e lënë përgjysmë, atë të arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Reeker ndër të tjera do ta drejtojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe konsolidimin e doktrinës së re gjeoekonomike të SHBA-së në Mesdheun lindor.

Angazhimi ndaj anëtarësimit të Shqipërisë

Një intervistë e zotit Reeker për VOA-n në vitin 2012 do t’i përshtatej më se miri situatës ku ndodhet aktualisht politika shqiptare, edhe pse kanë kaluar 7 vite.

“Thelbi i demokracisë qëndron tek aftësia për të bërë kompromis”, deklaronte Reeker, duke iu referuar procesit të zgjedhjes së zotit Njishani si president. “ Kjo, mendoj, është ajo që pret Bashkimi Europian dhe ajo që pret populli në Shqipëri. Ne mendojmë se është e rëndësishme që udhëheqësit politikë, nga i gjithë spektri i politikës në Shqipëri, të ri-fokusohen në punën e tyre”, theksonte ai.

Zyrtari i lartë shprehej në atë kohë se të gjitha palët politike duhet të punonin për të përmbushur rekomandimet e Bashkimi Evropian dhe për të marrë statusin si vend kandidat.

“Dritarja e mundësisë po mbyllet me shpejtësi. Tani është mundësia për të bërë përparim të vërtetë, për tre sektorët jetikë: reformën parlamentare, reformën zgjedhore dhe heqjen e imuniteteve, që të plotësohen kriteret e Bashkimit Evropian”, deklaronte ai.

Philip Reeker dhe Sali Berisha

Reeker do të shprehej se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë forcë politike apo parti politike. “Ne mbështesim demokracinë, vlerat e demokracisë dhe të institucioneve demokratike, mbështesim një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë, dhe ajo që ne besojmë se qytetarët e Shqipërisë e meritojnë janë zgjedhje të cilat janë pasqyruese të një vendi anëtar të NATO-s, që pasqyrojnë një kulturë demokratike. Dhe kështu kemi treguar që mbështetja jonë është për Shqipërinë, për vendin, dhe besojmë se të gjithë politikanët, të gjithë udhëheqësit, duhet të vendosin të mirën e vendit, të mirën dhe interesin e qytetarëve të tyre si përparësinë e tyre të pare”, shprehet zyrtari i lartë.

I pyetur për perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Reeker deklaronte se vendi ynë disa çështje kyçe që duhet të realizojë, nëse dëshiron të vazhdojë në rrugën drejt anëtarësisë në BE. “Duhet të bëhen kompromise të rëndësishme, që përfshijnë dialogun politik, që përfshijnë një nivel të caktuar debati të qytetëruar, që përfshijnë rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile”, theksonte ai.

Në fakt zgjedhja e zotit Reeker duket se do t’i shërbejë më shumë se kurrë vendit tonë, i cili ndodhet në një ngërç të pashembullt politik.
Duke iu referuar marrëdhënieve të mira mes vendit tonë dhe Amerikës, zyrtari i lartë theksonte se ambasadorët amerikanë dhe zyrtarët në Uashington janë përpjekur të jenë miq të mirë të Shqipërisë.

“Shqipëria është një demokraci e re. Shtetet e Bashkuara janë një demokraci e vjetër dhe ne ende mësojmë, ne kemi përvoja që mund t’i ndajmë dhe mund t’i ofrojmë dhe kjo është ajo që bëjmë përmes ambasadës, përmes programeve të ndihmave, në partneritet me institucionet shqiptare dhe partnerët tanë evropianë”, theksonte ai

Rama pret Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Philip Reeker

Drejt marrëveshjes Kosovë Serbi

Tani që dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka dështuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të marrin sërish “frenat” për të udhëhequr shqiptarët dhe serbët drejt arritjes së marrëveshjeje përfundimtare.

Duke njohur nga afër realitetin e të gjitha vendeve të rajonit, sidomos ato të Kosovës dhe Serbisë dhe falë angazhimeve të mëparshme në dialogun e viteve 1999, ai pritet t\i drejtojë palët drejt arritjes së marrëveshjeje historike.

Mediat amerikane kanë prezantuar tanimë tre modelet e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në veçanti, të Reeker, në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi. I pari është ‘Modeli i Kissingerit’, sipas të cilit pritet të përfshihen sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dhe këshilltari i Trumpit , John Bolton. Ky i fundit ka qenë një një nga kundërshtuesit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës në OKB dhe njihet si një mbështetës i Beogradit zyrtar.

Modeli i dytë është ai i “Holbrookut” që do të nënkuptonte përfshirjen e një të dërguari të nivelit të lartë për bisedime. Sipas “Washington Times” ky është modeli që ka më shumë të ngjarë të aplikohet. Forma e tretë e përfshirjes amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, është “modeli tradicional”. Në këtë kontekst, diplomatë me karrierë të gjatë mund të përfshihen në negociata dhe në fund të procesit mund të bashkohet edhe Presidenti i SHBA-së ose Sekretari i Shtetit, për të finalizuar marrëveshjen, dhe për të përgatitur ceremoninë e nënshkrimit. Cilido që të jetë modeli që SHBA-ja do të zgjedhë për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, Reeker do të jetë fytyra kryesore e këtij procesi.

Philip Reeker dhe Hashim Thaçi në Prishtinë më 10 shtator 2012

Karriera e gjatë diplomatike

Reeker aktualisht shërben në Komandën Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) në Shtutgart, që nga nëntori i vitit 2017. Më parë ai ishte një Konsull i Përgjithshëm i SHBA-së në Milano, Itali nga data 5 shtator 2014. Zyrtari ka shërbyer si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike nga viti 2011 deri në vitin 2013.

Nga qershori i vitit 2007 deri në qershor të vitit 2008, ai shërbeu në Ambasadën e SHBA-së në Irak si Këshilltar i Ambasadorit për Çështjet Publike. Ai ishte Zëvendës Shefi i Misionit në Budapest nga vitit 2004 deri në 2007-ën. Reeker ishte dhe Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë e Çështjeve Publike nga 2000-2003. Ai mori çmimin Edëard R. Murroë për Përsosmëri në Diplomacinë Publike në vitin 2003 dhe udhëtoi brenda dhe jashtë vendit si zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke dhënë opinione dhe intervista për politikën dhe diplomacinë e jashtme të SHBA-së nga viti 2003 deri në vitin 2004.

Si një oficer i shërbimit të jashtëm të karrierës, Reeker ka edhe shërbyer si Drejtor i Marrëdhënieve të Shtypit në Departamentin e Shtetit nga vitit 1999 në vitin 2000, si Asistent Informativ në Hungari në vitet 1993-1996 dhe si Zyrtar për Marrëdhëniet me Publikun në Shkup në vitet1997-1999.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë