Bota

Një zjarrvënie ‘e qëllimshme’ i merr jetën 7 personave në Francë, mes tyre 3 fëmijë

Gazeta Si – Shtatë persona humbën jetën, duke përfshirë “tre fëmijë të vegjël”, në një zjarr që shkatërroi një ndërtesë në Nice, në jug të Francës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, duke folur për një “tragjedi të tmerrshme”.

Transmetuesi “Bfmtv” shpjegon se fëmijët e vdekur ishin 5, 7 dhe 10 vjeç. Viktimat e tjera, të gjithë nga e njëjta familje, janë një adoleshent, dy gra dhe një burrë.

Në vendin e ngjarjes në orët e ardhshme pritet të mbërrijë edhe kryeministri Gabriel Attal. Kryetari i Bashkisë së Nisës, Chriatian Estrosi, foli për “dhimbje të madhe” për tragjedinë.

Lidhur me rastin është hapur një hetim për vrasje me dashje. “Ne kemi imazhe që tregojnë tre individë me fytyrat e tyre të mbuluara duke hyrë në ndërtesë pak para ngjarjes”, tha zyra e Prokurorit të Nicës.

Zjarri ka rënë në katin e shtatë të një pallati në lagjen “Moulins” në periferi të Nice. Nga të plagosurit, një person është në gjendje shumë të rëndë dhe dy në gjendje kritike.

Në total, zjarrfikësit që ndërhynë gjatë natës shpëtuan 35 persona, shkruan gazeta franceze “Le Figaro”.

Bashkia e Nicës ngriti një njësi për menaxhimin e situatës në dhomën Nikaia, pranë vendit të zjarrit, për të akomoduar familjet e evakuuara nga ndërtesa ku shpërtheu zjarri. “Ata do të strehohen në vend të tjera”, siguroi nënkryetarja, Anne Ramos për rrjetin televiziv “Bfmtv”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë