Futboll

Një yll i ri te Barcelona, debuton 17 vjeç dhe i jep fitoren pas 33 sekondash

Gazeta Si – Trajneri Ksavi Hernandez lançon talentin e radhës nga fidanishtja e Barcelonës. Lojtari i vitlindjes 2006 hyn në fushë dhe pas 33 sekondash shënon golin e fitores ndaj Atletik Bilbaos.

Një burim i pashtershëm talentesh Barcelona. Përballë mungesave të shumta, Ksavi ka besuar te të rinjtë dhe një djalosh 17-vjeçar i ka zgjidhur ndeshjen në debutimin e tij. ‘Heroi’ i Barcelona-Atletik Bilbao quhet Mark Guiu, i lindur më 4 janar 2006.

Ai shënoi golin e vetëm të ndeshjes, duke bërë një kapërcim të trefishtë kategorie. U fut në fushë në minutën e 79-të, në vend të Fermin Lopez, dhe pas 33 sekondash me dy prekje, kontroll dhe gjuajtje, mposhti Unai Simon. Barcelona shkon kështu -1 pikë nga kreu, që mbahet nga Real Madrid.

Mark Guiu shënoi me klas dhe gjakftohtësi. Festë e jashtëzkonshme nga 17-vjeçari, por edhe nga trajneri Ksavi Hernandez. Fidanishtja e Barcelonës nuk tradhton kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë