Gazeta Si – Në Europë, “ngjarjet ekstreme të motit janë një emergjencë shëndetësore, jo vetëm një emergjencë klimatike”, shkruan Komisioni Pan-Europian i OBSH-së për Klimën dhe Shëndetin, në një letër të hapur drejtuar qeverive anëtare.
“Rajoni Europian po përjeton valë të nxehti rekord, gjithnjë e më të shpeshta, intensive dhe vdekjeprurëse”, thuhet në të.
“Vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë është rritur me 30% gjatë dy dekadave të fundit, me mbi 100,000 vdekje” dhe “numri i të vdekurve pritet të rritet në vitet që vijnë”, shtojnë ekspertët, duke bërë thirrje për përpjekje më të mëdha për të luftuar ndryshimet klimatike.
“Këto ngjarje”, – sqaron letra nga Komisioni Pan-Europian, “nuk janë vetëm bezdisëse, ato janë një vrasës i heshtur. Numri i tyre shpesh fshihet në regjistrat e vdekjeve, si goditje në tru, atak në zemër ose dështim i frymëmarrjes. Por shkaku është i qartë. Të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në banesa me cilësi të dobët, janë veçanërisht në rrezik. E njëjta gjë vlen edhe për gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe punëtorët në natyrë të ekspozuar ndaj temperaturave të larta të rrezikshme. Efektet nuk janë vetëm të menjëhershme: ato ndikojnë në jetë dhe jetesë, duke dëmtuar shëndetin mendor dhe mirëqenien, duke ulur produktivitetin, duke dëmtuar të korrat, duke rritur faturat e energjisë dhe duke rënduar infrastrukturën jetësore”.
Në letër, Komisioni i OBSH-së, thekson se temperaturat në rritje po ndryshojnë peizazhin e sëmundjeve infektive dhe po rrisin presionin mbi shërbimet shëndetësore europiane.
“Ndryshimi i klimës po nxit përhapjen e sëmundjeve dikur të rralla në rajon”, thuhet në të. “Rastet e dengos (infeksion viral) të transmetuara në nivel lokal në Bashkimin Europian dhe Zonën Ekonomike Europiane, u rritën me 368% midis viteve 2022 dhe 2024”.
Shërbimet e kujdesit shëndetësor janë gjithashtu gjithnjë e më të tendosura. “Dhomat e urgjencës përjetojnë rritje të shtrimeve në spital gjatë valëve të të nxehtit, veçanërisht për sëmundjet e zemrës, mushkërive dhe veshkave”, vazhdon dokumenti.
“Shëndeti mendor preket gjithashtu: gjumi përkeqësohet, ankthi përkeqësohet dhe funksioni njohës bie. Ndërkohë, njerëzit me probleme të shëndetit mendor janë në rrezik në rritje për goditje nga nxehtësia dhe shtrime në spital, pasi disa ilaçe me recetë zvogëlojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën e vet”.
Nxehtësia gjithashtu rrit problemet për punëtorët dhe infrastrukturën: “Punonjësit e kujdesit shëndetësor janë në rrezik të goditjes nga nxehtësia dhe lodhja nga puna, ndërsa sistemet në të cilat ata mbështeten, nga ftohja, deri te teknologjia e informacionit, janë në rrezik dështimi”, përfundojnë ekspertët, duke theksuar se “këto dobësi nuk janë të izoluara: ato janë sistemike dhe në rritje”.
Për Komisionin Pan-Evropian të OBSH-së, “kriza klimatike është një krizë shëndetësore dhe për këtë arsye veprimi klimatik është veprim shëndetësor. Ndotja e ajrit shkakton mbi 500,000 vdekje të parakohshme në vit në Rajonin Europian, shumë prej të cilave i atribuohen lëndëve djegëse fosile. Lajmi i mirë është se shumë zgjidhje klimatike janë gjithashtu zgjidhje që mbrojnë dhe promovojnë shëndetin”.
Së pari, “ulja e emetimeve do të thotë ajër më i pastër dhe më pak vdekje, duke shpëtuar potencialisht mbi 5 milionë jetë në nivel global falë ndotjes së reduktuar të ajrit. Zgjerimi i hapësirave të gjelbra në qytete zvogëlon ekspozimin ndaj nxehtësisë, përmirëson shëndetin mendor, ul faturat e energjisë dhe thith karbonin. Rritja e gjelbërimit urban me 30% mund të zvogëlojë vdekjet që lidhen me nxehtësinë deri në 40%. Këto janë përfitime për shëndetin, barazinë dhe ekonominë”.
Këto zgjidhje, përfundon letra, “jo vetëm që janë efektive, por përfaqësojnë edhe investime të zgjuara. Nevojiten metoda të reja për matjen e progresit që i vendosin shëndetin, mirëqenien, barazinë dhe qëndrueshmërinë në thelb. Në muajt në vijim, ne do të paraqesim një sërë rekomandimesh ndërsektoriale të guximshme, por të zbatueshme, për të adresuar krizën klimatike dhe për të mbrojtur shëndetin. Kjo nuk është koha për masa gjysmake. Është koha për veprime të jashtëzakonshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



