Nga Mendrit Shehu – Një vit më parë, gjithçka ndryshoi. Për shumë duket sikur ka kaluar një jetë e tërë. Sporti, ai burim i vazhdueshëm, i qëndrueshëm i argëtimit, do të lihej mënjanë për diçka shumë më të rëndësishme. Megjithëse askush nuk e dinte në atë kohë, e hëna e 9 marsit do të ishte një ditë e shënuar për futbollin shqiptar.

Në Kategorinë Superiore ndeshjet e fundit u luajtën pikërisht atë ditë; Skënderbeu-Kukësi e Vllaznia-Partizani, të dyja pa praninë e publikut, ku më pas erdhi edhe vendimi drastik i Federatës Shqiptare të futbollit për ndërprerjen e kampionatit, për t’u rikthyer në muajin qershor, pas më shumë se 2 muajsh pushim.

Kishte ende një pjesë të ndeshjeve për tu luajtur para tifozëve, më e rëndësishmja ndeshja e Liverpool kundër Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve. Por mbrëmja e 9 Marsit shënoi fillimin e një viti si askush tjetër për futbollin. Ishte fillimi i vitit të futbollit pa tifozë.

Në ato ditë të para të marsit, Covid-19 po bëhej shpejt kriza më e madhe e shëndetit publik në breza. Mbërritja e virusit Sars Cov 2 në Shqipëri në 9 Mars vuri në alarm qeverinë e cila menjëherë pezulloi mësimin në të gjithë sistemin arsimor në vend, mbylli aktivitete kulturore dhe sportive ndërsa u pezulluan dhe fluturimet me disa vende të konsideruar zone e kuqe.

Rritja e rasteve me Covid-19 ditë më vonë çoi në ashpërsim të masave. Në 13 Mars u ndalua lëvizja e lire e qytetarëve, u mbyllën bare dhe institucione ndërsa në rruge doli policia. 4 ditë më pas qeveria vendosi të kalojë të gjithë vendin në karantinë totale fillimisht për një periudhë 2 javore dhe më tej ka vijuar me masa të përcaktuara në bazë të ecurisë së shpërndarjes së virusit.

Ideja e asaj që kriza e koronavirusit donte të thoshte për sportin dhe futbollin sapo kishte filluar të shfaqej. Covid-19 pati një efekt të menjëhershëm edhe në botën sportive, madje ndikimi ishte kaq i madh saqë detyroi të gjitha Federatat e disiplinave të ndryshme të ndërpresin evenimentet madje edhe stërvitjet e skuadrave. 13 Marsi ishte një ditë veçanërisht e zymtë. Një nga një, turne, liga dhe gara të tjera u anuluan ose u shtynë. I gjithë futbolli anglez u pezullua deri në Prill. Ndeshjet e Bundesliga 1 dhe 2 u anuluan deri në Prill, dhe Ligue 1 dhe 2 ‘deri në një njoftim të dytë “.

Edhe UEFA u detyrua të dorëzohej, teksa ndërpreu Champions dhe Europa League, por vendimin më të rëndësishëm, e mori në 17 mars kur vendosi shtyrjen e Evropianit të këtij viti për në 2021. Miqësoret ndërkombëtare u anuluan.

Në Formula 1 u anulua në çastet e fundit gara e parë e Botërorit në Australi pas pozitivitetit të një anëtari të McLaren ndërkohë që u shtynë edhe garat e Bahreinit, Vietnamit, Holandës, Spanjës e Montecarlos duke bërë që të ngrihen pikëpyetje për fillimin e sezonit. Ndërsa në Botërorin e MotoGP u anulua gara e Katarit, ndërkohë që u shtynë Çmimet e Mëdha të Tajlandës, Austin dhe Argjentinës. Në çiklizëm, Giro d’Italia u shty, së bashku me disa ture te tjera.

Në këtë vit të çuditshëm Tirana u kthye te titulli kampion pas 11 vjetësh. Titulli i 25-të në histori ka përkuar me 100-vjetorin e krijimit të klubit, por për fat të keq festa, që duhej të ishte speciale, është sfumuar nga rregullat e pandemisë. Koronavirusi i ka privuar bardheblutë nga esenca e futbollit, tifozët. Tirana e siguroi titullin matematikisht para mbylljes së kampionatit, saktësisht pas humbjes së Kukësit rival në Shkodër.

Edhe pse skuadrat tona u përgatitën me emergjencë për përfaqësimin në Kupat e Europës, pasi koha në dispozicion ishte e paktë, sërish ia dolën ta kalonin turin e parë eliminator të gjitha, në një format me tek ndeshje këtë herë.

Duke pasur parasysh 12 muajt që kanë kaluar, me shifra të luhatshme dhe mutacione të reja të virusit, kthimi dhe vazhdimi i futbollit ka qenë një sukses i padyshimtë. Dhe duke pasur parasysh se përditshmëria jonë është akoma e lidhur dhe e dominuar nga një pandemi globale, mund të duhet kohë e gjatë para se të kuptojmë me të vërtetë rëndësinë e atyre ditëve të Marsit 2020 dhe rëndësinë e vitit të gjatë pa tifozë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




