Ka kaluar një vit që kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai shqiptar Edi Rama dhe Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç u mblodhën në Tiranë për të zyrtarizuar një nga nismat më kontradiktore të rajonit, atë të Mini Shengenit.
Në Kosovë, e cila në atë kohë nuk i ishte bashkuar ende kësaj iniciative, Mini Shengeni u cilësua si një zëvendësim për mungesën e angazhimit të BE-së, një mjet për krijimin e një Jugosllavie të re apo përpjekje për të hequr vëmendjen nga mos hapja e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Disa nga kritikët madje shkuan më tej për ta quajtur këtë iniciativë "një truk të lirë politik që do të dukej mirë vetëm në letër".
Një vit më vonë, pas paktit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti u bë pjese në një takim online me Ramën, Zaev dhe Vuçiç, ndërsa presidentja në detyre e Kosovës, Vjosa Osmani e bëri të qartë se asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën Mini-Shengeni perceptohet në Tiranë.
Në vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë, Osmani tha se Mini Shengeni Ballkanik ishte një “fatkeqësi”, për të cilën Rama kishte bindur edhe kryeministrin e Kosovës, zotin Hoti.
“Kam kam akoma të njëjtin qëndrim. Ia kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës në nëntor dhe do ta përsëris të njëjtën gjë dhe këtu. Jam kundër Mini Shengenit. Ka shumë argumente mbi bazën e të cilëve kemi ndërtuar këtë qëndrim. Shpresoj ta bindim kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë. Dua të paktën të kemi një dokument. Ne vetëm flasim, por nuk kemi asnjë dokument se çfarë është ky Mini Shengen”, deklaroi ajo.
Ideja e krijimit të një "mini-Shengeni" erdhi në tetor të vitit 2019, pasi Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, së bashku me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç u takuan në Novi Sad dhe deklaruan se kjo iniciativë është e hapur për të gjitha vendet e rajonit.
Për të promovuar këtë ide si një ide me të vërtetë rajonale, Serbia këmbënguli që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me nismën, madje edhe Kosovën, të cilën nuk e njoh. Kur u pyet, Vuçiç deklaroi se njohja në këtë çështje është e parëndësishme, pasi "nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit".
Nga ana tjetër, udhëheqësit e Kosovës ishin kundër idesë, deri në marrëveshjen e Uashingtonit, e cila theksonte se "Beogradi dhe Prishtina do të bashkohen në zonën" mini-Shengen ".
Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, pavarësisht shumë ftesave, kanë vendosur të mbeten spektatorë, ndërsa Presidenti malazez Gjukanoviç u bashkuar vetëm në takimin e Tiranës.
"Si ide, 'mini-Shengen' për fat të keq nuk arriti të ringjallë shkëndijën për bashkëpunim dhe bashkëpunim," shpjegon Srđan Majstrović, Kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës së Politikave Evropiane.
Një nga pyetjet kryesore vitin e kaluar, kur vendet njoftuan krijimin e iniciativës "mini-Shengen", ishte nëse kjo ide do të bëhet thjesht një zëvendësim për mungesën e angazhimit të BE.
Iniciativa atëherë dhe për disa, ende, shihej thjesht si një mjet që do të lehtësonte shtyrjen e hapjes së negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Prandaj, vendet hezituan të bashkohen, duke besuar se kjo do të ngadalësonte ritmin tashmë të ngadaltë të integrimit të plotë në BE.
Cilat janë arritjet e Nismës?
Arritja më e madhe e kësaj nisme do të ishte në fakt ndërtimi i autostradës së përbashkët energjetike Kosovë-Shqipëri, i cila i mundësoi Prishtinës pavarësinë nga rrjeti energjetik serb.
Projekti u konsiderua nga kryeministri Rama më i madhi në historinë e dy shteteve tona, pasi është një vepër strategjike me impakt në rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve elektro-energjetike të të dyja shteteve dhe cila, ashtu siç tha edhe kreu i qeverisë, nuk do të ishte arritur nëse nuk do të ishte për iniciativën e Mini Shengenit.
Gjatë një ceremonie të zhvilluar në Shqipëri, ku në mënyrë virtuale morën pjesë edhe përfaqësuesit nga Kosova, ekspertët u shprehen së se tregjet e përbashkëta do të ndihmojë të dy palët që të jenë konkurrent në rajon. Marrëveshja e nënshkruar gjithashtu bën të mundur funksionalizimin e linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri i cili do të ndikojë në rritjen e shkëmbimeve të energjisë elektrike ndërmjet dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë dhe regjionit.
“Më në fund ia kemi dalë tia arrijmë kësaj dite e cila faktikisht nëse kthehemi pas e shohim historikun e këtij procesi ka marrë shumë kohë. Puna nuk nisi kurrë në qeverinë paraardhëse, jo vetëm që asgjë nuk nisi, por sistemi ynë elektroenergjetik vijoi të dekradojë deri në pikën që u bë një barrë shtypëse në shpatullat e shtetit shqiptar duke rerzikuar falimentimin. U desh viti 2014 që qeveria jonë të niste zbatimin e këtij projekti madhor dhe e mbyllëm projektin në 2016 ekzaktësisht 2 vjet. Sot jemi 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit”, tha Rama.
“Linja nuk u vu në punë sepse mbeti peng e një vullneti politik sepse pala serbe nuk pranonte ta njohte pavarësinë e rrjetit të Kosovës, por të mbetej i varur nga Serbia, ky është Shengeni rajonal. Kështu zgjidhen problemet me rëndësi të madhe që mbeten peng i shteteve të mëdha dhe grandomanisë që i ka penguar shqiptarët të shohin përtej hundës së tyre. Morëm mbrapsht për atë që jemi mbledhur, është një prej projekteve sic e thoshte parardhësi im më të mëdha në historinë e dy vendeve, por unë them e shteteve tona, një vend me dy shtete. Kjo do të jetë një hapësirë e përbashkët e integruar energjetike, hapësirë e pavariur si një hallkë themelore e një sistemi më të gjerë ai europian. Linja 400 kilovolt do të sjellë impakt të jashtëzakonshëm dhe do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin interkonjektiv të OST-së. Shqipëria gjeneron 97 % energji nga hidrocentralet, Kosova nga termocentralet. Prandaj kuptohet rëndësia e shkëmbimit energjetik me projektin e sotshëm”- u shpreh Rama.
Gjatë një takimi online në nëntor për Shengenin Ballkanik, të cilit iu bashkua për herë të parë edhe Kosova, Mini Shengeni shënoi arritjen e parë të madhe.
Zaev, Vuçiç dhe Rama nënshkruan një marrëveshje që u mundësoi qytetarëve të Serbisë dhe Shqipërisë të hynin në territorin e dy vendeve me një kartë identiteti. Kjo marrëveshje ndërshtetërore midis dy vendeve u perceptua si një lëvizja e parë konkrete në bashkëpunimin gjatë gjithë vitit.
“Është një hap i rëndësishëm që shqiptarët të kenë lëvizje të lirë me vendet e Ballkanit, përfshirë Serbinë ku mund të udhëtojmë lirshëm pa dokumente. Është një hap pozitiv, siç është dhe memorandumi për të ndarë informacion, eksperiencë dhe ndihmë kur të jetë e nevojshme për COVID-19. Jam i lumtur që nesër me Samitin e Ballkanit nis një faqe e re bashkëpunimi me Kosovën që bashkohet në tavolinë”, u shpreh kryeministri Rama.
Po kaq të rëndësishme e ka quajtur këtë marrëveshje dhe presidenti serb Vuçiç, i cili nuk i kishte kursyer deri në atë kohë thirrjet për bashkimin e Kosovës me Mini Shengenin.
“Ne jemi kombe të vegjël, të cilët zakonisht janë ndikuar shumë nga forca të ndryshme që kanë dashur të ndjekin interesat e tyre gjatë gjithë historisë. Sot, kjo nuk ka ndryshuar shumë, por është e rëndësishme që, duke u kujdesur për veten, të përpiqemi të ruajmë pavarësinë tonë dhe të marrim vendimet tona. Dhe me kë do të marrim vendime nëse jo me ata që janë më afër nesh. Kjo thellon besimin dhe marrëdhëniet e mira midis Tiranës, Shkupit dhe Beogradit”, tha presidenti serb.
Gjatë të njëjtit takim, udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan një memorandum për bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë. Sipas memorandumit, të tre vendet tani do të ndajnë informacionin mbi virusin dhe për të udhëtuar midis tyre nuk do të kërkohej një tampon. Përveç kësaj, memorandumi përcakton që nëse qytetarët e një vendi infektohen ndërsa vizitojnë vendin tjetër, ata do të jenë në gjendje të marrin trajtim falas.
Por pvr disa ekspert, pavarësisht këtyre rezultateve të prekshme, deri më tani duket se iniciativa është e mbivlerësuar ose të paktën ka akoma për tu dhënë.
A është "mini-Shengen" një domosdoshmëri me ekzistencën e Zonës Ekonomike Rajonale?
Në një rajon që është ngarkuar për dekada me konflikte shumëplanëshe, çdo formë e bashkëpunimit rajonal është shumë e mirëpritur, veçanërisht pasi është një nga kërkesat për anëtarësimin në BE.
Sidoqoftë, disa ekspertë vazhdojnë ta quajnë këtë iniciativë të panevojshme, apo edhe një marifet politik që përdoret për të fituar rezultate dhe për të krijuar një imazh të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë para BE-së, në vend të një iniciativë që do të kontribuonte për një integrim të dobishëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Arsyeja për këtë qëndron edhe tek Plani Shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA), i vendosur në Samitin e Triestes në 2017, nën Procesin e Berlinit.
Qëllimet e "mini-Schengen" dhe MAP REA janë të njëjta, përfshinë lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, por ndryshimi i rëndësishëm është se REA në fakt mbledh të gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor
“MAP REA, zhvillimi i të cilit u koordinua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me kërkesë të Udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetur nga Komisioni Evropian (KE), synon të mundësojë qarkullimin e papenguar të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti dhe duke përshpejtuar konvergjencën me BE, duke sjellë kështu prosperitet për qytetarët e Ballkanit Perëndimor", thuhet në marrëveshjen e kësaj iniciative.
Shumë ekspertë kanë paralajmëruar se që një ide si "mini-Shengen" të bëhet realitet "i duhet një strategji, një plan veprimi, objektiva, tregues, standarde, burime të disponueshme financiare dhe staf të kualifikuar".
“Ne i kemi të gjitha këto elemente nga CEFTA dhe REA. Procesi i Berlinit që nga viti 2014 siguron mbështetjen politike ndërsa Komisioni i BE ofron mbështetjen financiare” thotë Ardian Hackaj, Drejtori i Kërkimit në Institutin e Bashkëpunimit dhe Institutit të Zhvillimit në Tiranë.
Që nga viti 2017, kjo formë e integrimit ekonomik arriti rezultate të dukshme. Një nga ato më të prekshmet është heqja e Roamin-gut në rajon.
“Përfitimi më i dukshëm për qytetarët e rajonit tonë është fakti që ne tani po paguajmë 96% më pak tarifa roaming në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dhe që nga korriku 2021, kostot e roamingut do të jenë zero” deklaroi Maja Handjiska, shefe e Departamentit të Programit.
Falë procecit të Berlinit u nënshkruan dy memorandume të rëndësishme mirëkuptimi midis vendeve të rajonit për ofrimin e shërbimeve dhe për transformimin dixhital të Ballkanit Perëndimor. Të paktën deri tani, duket sikur kjo iniciative ka lënë totalisht në hije Mini Shengenin.
Çfarë u deklarua nga 4 liderët e Ballkanit 1 vit më parë?
"Ky proces është në koherencë të plotë me ambicien e të gjitha vendeve të BP dhe angazhimin e tyre për t'u bërë pjesë e familjes europiane. Duke bashkuar forcat përshpejtojmë "procesin e integrimit në BE dhe krijojmë" në hapësirën tonë standardet që i përgjigjen 4 lirive të BE: lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve", theksoi kryeministri Rama.
Kurse Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç e vlerësoi nismën e Mini-Schengenit Ballkanik si "një mundësi të shkëlqyer për të përmirësuar besimin mes vendeve të rajonit dhe forcuar kapacitetet për bashkëpunim në kuadër të nismave më të gjera me BE, ku duan të integrohemi".
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e sheh me “rëndësi të jashtëzakonshme nismën dhe bashkëpunimin intensiv e efikas rajonal". Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u ndal në lehtësirat kufitare në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Ai tha se është nënshkruar marrëveshja “one stop shop” në kalimet kufitare, ku do të përdoren sisteme elektronike dhe qytetarët në gjjithë rajonin do të kalojnë pikat kufitare me kartat e identitetit. “Do të këtë një procedurë të unifikuar, të vetme për dhënien e lejeve për punës. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin mesazhe pozitive në pranverën e 2020-s" tha Zaev duke lënë të nënkuptohet mundësia e hapjes së negociatave, gjë që ende nuk ka ndodhur në fakt.
“Ne dëshërojmë të jemi anëtarë të BE. Për këtë kemi kohë që punojmë. Nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë drejtimin strategjik. Nuk kemi marrë ndonjë informacion të ri që do të na bënte të ngurronim dhe të thonim që nuk duam të shkojmë në BE. Përkundrazi kohët e fundit kemi deklaruar se jemi kundër ҫdo ideje për të ndryshuar rregullat e lojës tani. Rregullat e lojës janë përcaktuar dhe vendosur në Selanik në vitin 2003. Ne bëjmë atë që kemi në dorë: organizojmë rajonin dhe kjo nuk varet nga fuqitë e mëdha”, tha Vuçiç një vit më parë në Tiranë.
Burimet: "European Western Balkans", "Euractiv", DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.