Analize

1 vit nga Banjska / Sanksionet e harruara ndaj Serbisë dhe zbutja e BE-së nga ‘sulm terrorist’ në ‘operacion armësh’

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, në Banjskë të Zveçanit. Armatimi masiv ishte fshehur në manastir...

Nga Gazeta ‘Si’- Sulmi i 24 shtatorit në manastirin e Banjskës një vit më parë dëshmoi se kërcënimi i Kosovës nga Serbia nuk është as hipotetik, as paranojë e liderëve të Kosovës.

Ai që fillimisht u trumbetua si një ‘sulm terrorist’ nga ndërkombëtarët, gjatë rrugës u reduktua gradualisht në një ‘operacion të trafikimit të armëve’, gjë që nga Prishtina zyrtare u pa si një përpjekje për të shpëtuar shtetin serb nga ndëshkimi.

Për një vit, Bashkimi Europian arsyetoi mosvendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë me përfundimin e hetimeve nga autoritetet kosovare.

Por tani që aktakuzat për pjesëmarrësit u ngritën, përveçse përshëndeti ato dhe përsëriti vakët vetveten me thirrjen që Serbia të dorëzojnë Milan Radoiçiçin (organizatorin e sulmit), BE-ja ‘bleu sërish kohë’ duke theksuar se do të presë përfundimin e procesit gjyqësor.

Ndërkohë që nuk është përfunduar asnjë hetim nga ndërkombëtarët (Brukseli ka theksuar se nuk ka mandat për këtë) liderët e Kosovës theksojnë që BE-ja dhe SHBA-ja duhet të ndryshojnë sakaq kursin e qasjes dhe të mos i ofrojnë më Serbisë ‘karota’ në vend të ‘shkopinjve’.

Si qëndrimet e kryediplomatit Josep Borrell ashtu edhe të emisarit Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi kanë qenë shpesh ‘nën sitën’ e kryeministrit Albin Kurti që i ka akuzuar jo pak herë për njëanshmëri.

Çfarë dihet pas një viti dhe ç’përmban aktakuza?

“Më mirë vonë se sa kurrë”, deklaroi Albin Kurti referuar ngritjes së aktakuzës kundër 45 të dyshuarve për pjesëmarrje në sulmin e Banjskës, vetëm gati një vit më vonë nga Prokuroria e Kosovës.

Deklarata e tij erdhi si replikë kundër shumë zërave, jo vetëm opozitarë, që gjatë vitit e kanë akuzuar qeverinë e Kosovës për mungesë reagimi dhe për moskthim të kësaj cështje në ‘armën’ kryesore diplomatike kundër Serbisë.

Megjithatë, vonesën, Prokuroria e Kosovës e arsyetoi në një konferencë për media me faktin se i është dashur të presë shumë kohë për pranimin e rezultateve të ekzaminimeve nga jashtë vendit.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Në të, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Si përshkruhet sulmi në aktakuzë?

Milan Radoiçiç cilësohet si “kreu i grupit terrorist”, i cili bashkë me pjesëmarrësit tjerë, më 24 shtator, 2023, në orën 01:00, pasi kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë dhe pastaj janë fshehur, kanë sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët kanë shkuar për t’i hequr kamionët dhe për të liruar rrugën.

Milan Radoiçiç në Banjskë, organizatori i sulmit

Ky ishte momenti kur edhe mbeti i vrarë rreshteti, Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti, dhe u lënduan policët: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi.

Ky sulm, sipas aktakuzës, ka vazhduar deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e këtij grupi është arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë qenë “të trajnuar në mënyrë profesionale” dhe se kanë hyrë ilegalisht në Kosovë nga Serbia “përmes rrugëve malore“ dhe me dhjetëra makina, “disa prej tyre të blinduara dhe të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake”.

Sipas aktakuzës, nga 1 janari i vitit 2017 deri më 24 shtator, 2023, kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, Milan Radoiçiç ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, pjesa më e madhe e të cilave janë përdorur për armatim të rëndë, uniforma ushtarake, mbështetje logjistike dhe pagesën e pjesëmarrësve të grupit.

Serbia nuk vetëdorëzon Radoiçiçin

Edhe pse Kurti ka insistuar në çdo takim që ka patur jo vetëm në Bruksel me ndërkomëbëtarët që Radoiçiç duhet t’u dorëzohet autoriteteve kosovare për sa kohë që sulmi ndodhi në Zveçan të Kosovës, presidenti serb Aleksander Vuçiç ka inisituar që kjo nuk do të ndodhë.

“Po talleni me mua, apo çfarë? Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiç në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën”, ka deklaruar ai ndërsa ka shtuar së në fakt Radoiçiçin e ka vetëm bashkëpunëtor dhe jo mik.

Vuçiç dhe Radoiçiç

Prej një viti, edhe pse Interpol ka shpallur urdhëarrest ndaj Radoiçiç ai mohon që Beogradi zyrtar qëndron pas sulmit të Banjskës. Sipas tij, gjithë ka ndodhur, ka ardhur si rezultat i revoltës së serbëve që jetojnë në veri të Kosovës ‘ të cilët janë revoltuar nga terrori i Kurtit’.

Çfarë sanksionesh duhet t’i viheshin Serbisë?

Shumë ekspertë sigurie kanë theksuar se Serbisë duhet t’i viheshin jo vetëm masa të ngjashme me ato që i janë vënë Kosovës, pas rritjes së tensioneve në veri, në majin e vitit 2023 por edhe masa që shënojnë individët, nga ngrirja e pasurisë deri në shpalljen non-grata.

Gjithashtu ata lobojnë që është dashur në mënyrë eksplicite një deklaratë e qartë prej udhëheqësve perëndimorë që incidenti do të hetohet në hollësi dhe që Vuçiç duhet të heqë dorë publikisht prej çfarëdo aktiviteti ushtarak afër Kosovës.

Por ndërkohë, nën sanksione vijon të mbetet vetëm Kosova teksa Serbia ‘po fiton Perëndimin’ dhe po nënshkruan një sërë kontratash si në fushën e mbrojtjes ashtu edhe në të energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë