Drejtësia

Një vit në paraburgim, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Metës për t’u liruar nga qelia

Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së, ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”, ku tashmë mbahet prej 1 viti që pas arrestimit me dhunë në 21 tetor 2024.

Sipas mbrojtjes, SPAK dorëzoi me vonesë kërkesën për gjykimin e tij në gjykatë, tej afatit 12 mujor nga nisja e hetimeve.

Pretendimi i Metës u rrëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka. Avokati i tij, Kujtim Cakrani e konsideroi vendimin të padrejtë.

Një vit pas arrestimit të tij për dosjen e bujshme CEZ-DIA dhe aferën e lobimit në SHBA, Meta vijon me kërkesat për të lënë qelinë.

Pas disa kërkesash të rrëzuara, një ditë më parë Meta bëri një tjetër përpjekje në Gjykatën Posaçme. Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Më 17 tetor, edhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Metës, duke konfirmuar mbajtjen e tij në burg, ndërsa hetimet ndaj tij janë mbyllur nga SPAK prej muajsh.

Prokuroria e Posaçme akuzon Metën për tre vepra penale të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Akuza që lidhen me disa çështje të përfshira në një dosje të vetme.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa SPAK ka dërguar dosjen për gjykim në fund të gushtit të këtij viti.

Në të njëjtën dosje hetimore janë të përfshirë edhe emra të tjerë të njohur. Ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, akuzohet për pastrim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë