Analize

Një vit më vonë / Lufta e nxehtë dhe e ftohtë e Ukrainës

Pas një viti luftimesh, çfarë vjen më pas?

Pas një viti ka shumë për tu pikëlluar. Të vdekur nga të dyja anët. Të gjallët, të shpërndarë nëpër Europë nga raketat ruse. Të varfërit e botës, duke luftuar për të blerë bukë. Por, duke iu drejtuar kombit të tij këtë javë, Vladimir Putin nuk u pendua.

Aleatët e Ukrainës mund të përgëzojnë veten e tyre se e kanë bërë punën e vet kundrejt Putin, ndonëse meritat i shkojnë vetëm Ukrainës për kurajon dhe guximin. Ata po mbahen në dy principe: Ukraina duhet të fitojë dhe që përkufizimin e fitores e përcakton presidenti Volodymyr Zelensky.

Por Putin e di se edhe principet më me vlerë shkatërrohen. Ai beson se Perëndimi do të lodhet, me mundësinë e një presidenti të ri amerikan në vitin 2025 dhe një mbështetje më të fortë nga Kina, ai ende mund të ketë të drejtë. Fjalimi i tij këtë javë e bëri të qartë se ai po mobilizon Rusinë për një luftë që - e nxehtë apo e ftohtë - mund të zgjasë një gjeneratë.

Në luftën që mund të zgjasë disa vite me armatime të rënda, Ukraina mund të triumfojë vetëm nëse Putin, ose ndonjë pasardhës i tij, do të kuptojë që një agresion i vazhdueshëm do ta dobësojë atë. Liderët perëndimore duhet t'i sinjalizojnë Rusisë vendosmërinë e tyre dhe të përgatisin njerëzit e tyre për konfrontimin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse ata duhet të nisin vitin e dytë të luftës duke shkuar përtej gjeneraliteteve dhe duke u përkushtuar ndaj një plani të besueshëm për një luftë të gjatë.

Detyra e parë është të kuptojnë në çfarë niveli. Disa europianë ende besojnë se një marrëveshje paqeje do ta rikthejë botën në gjendjen që ishte më 23 shkurt 2022. Në fakt, Rusia, Ukraina dhe Perëndimi janë bllokuar në një sistem. Perëndimi beson se një Ukrainë sovrane duhet të jetë e lirë për tu bërë një komb demokratik dhe me prosperitet. Putin e mohon ekzistencën e Ukrainës dhe thotë se civilizimi rus është në luftë me Perëndimin. Është një luftë që do të testojë vendosmërinë dhe fuqinë e të dyja krahëve.

Detyra e dytë është të krijojnë avantazh në fushëbetejë. Ofensivat e pranverës nga Rusia dhe Ukraina do të tregojnë se cila mund të marrë territor. Sulmi rus ka nisur dhe nuk duket se po fiton terren. Ukraina mund ta nisë në prill ose maj. Ushtria ukrainase ka deklaruar se qëllimi i saj është të rivendosë kufijtë e vitit 1991 duke marrë Krimenë dhe katër provincat që Putin aneksoi në shtator.

Duhet të marrë çfarë të mundet. Arsyeja strategjike është se një Ukrainë në kaos do të varfërohej dhe do të ishte e vështirë për t'u mbrojtur. Lindja dhe jugu i vendit janë burime mineralesh dhe kulturash, si dhe qendra të industrisë. Qasja e papenguar në Detin e Zi siguron një kalim të sigurt për eksportet e Ukrainës. Arsyeja politike është se sa më shumë territor të dorëzojnë forcat ruse, aq më e qartë është se lufta ishte e kotë – dhe aq më e vështirë do të jetë për Putin ose pasardhësin e tij që të justifikojë ri-pushtimin e Ukrainës me një ushtri të re.

A duhet që në ambiciet e Ukrainës të përfshihet Krimeja? Në parim, po. Shtrihet në kufijtë e njohur të shtetit. Kontrollon aksesin në bregun ukrainas. Është territor që Putin e çmon dhe rimarrja e saj, do ta dërgonte me të vërtetë në shtëpi ushtrinë ruse. Në praktikë, Krimeja është e vështirë për tu marrë. Putin mund të kërcënojë për përdorimin e armëve bërthamore. Zelensky duhet të jetë i sigurt për sukses: një sulm i dështuar mund të përfundojë duke mbledhur rusët e zakonshëm pas liderit të tyre.

Sa më e fortë pozita territoriale e Ukrainës, aq më e fortë do të jetë ajo në luftën e Ftohtë që do të pasojë. Kjo mund të vijë në formën e një marrëveshje paqeje, por më shumë si një armëpushim, si ajo 70-vjeçarja midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut. Gjithsesi, Putin nuk do të heqë dorë dhe Ukrainës i duhet një garanci për siguri.

Idealisht kjo do të përfshinte NATO-n. Putin është i vështirë për tu frenuar, sepse Amerika nuk dëshiron të nisë një luftë me të, dhe me të drejtë. Anëtarësia në NATO ul riskun. Aleanca i angazhon anëtarët e tij paraprakisht që të trajtojnë një sulm ndaj një vendi si një sulm ndaj të gjithëve. Nëse Putin do të pushtonte, ai do të ishte ai që do të niste një luftë superfuqish.

Në konferencën e fundit për sigurinë në Mynih, disa vende thanë se ishin dakord edhe Franca mund të jetë e hapur ndaj idesë. Megjithatë, anëtarësimi në NATO kërkon konsensus. Nëse kjo është e paarritshme, Ukrainës do t'i duhen garanci dypalëshe dhe shumë armë, në mënyrë që të jetë si një Izrael europian, shumë kompleks për një tjetër pushtim rus.

Çfarë do të ndodhë, nevoja e Ukrainës për armë do të zgjasë një dekadë, ose më shumë. Deri më tani po hedh në muaj aq predha sa SHBA-ja i bën në një vit. Fushata e pranverës kërkon municione, sisteme ajrore mbrojtëse, artileri dhe aeroplanë. Pas lufte, do të kërkojë një arsenal të tërë me armë të cilësisë së NATO-s.

Politikanët këmbëngulin se i janë përgjigjur këtyre nevojave, por po ngadalësohen për të vepruar. Ata duhet të ndryshojnë këndvështrimin e tyre. Vendet perëndimore duhet të pranojnë se nuk mund të përballojnë më nivelet e prodhimit të armëve në kohë paqeje – jo vetëm për të mbështetur Ukrainën, por edhe për të mbrojtur veten e tyre. Kërcënimet janë të shumta. Ata duhet të sinjalizojnë një rimbushje afatgjatë të municioneve, të investojnë në kapacitetin e rritjes dhe të bëjnë më shumë prokurime në të gjithë aleancën, në mënyrë që të krijojnë një industri të fuqishme.

Lufta e gjatë

Fuqitë perëndimore duhet të tregojnë angazhimin e tyre me mbështetje financiare për disa vite. Kjo ka rëndësi sepse, nëse ekonomia e Ukrainës nuk lulëzon, atëherë as demokracia nuk do të lulëzojë. Gradualisht, mbrojtja e vendit do të dobësohej.

Ndihma është thelbësore, sigurisht. Amerika i ka dhënë asaj pjesën më të madhe të tortës me armë, ajo që në fakt duhet të shkonte nga Europa. Por kapitali privat është thelbësore po ashtu dhe ai do të shkojë në Ukrainë vetëm nëse ajo bëhet vend i mirë për investime.

Si në Izrael dhe në Korenë e Jugut, që kanë tërhequr burime nga fqinjët e tyre, mund të bëhet dhe Ukraina. Gjatë luftës ata kanë treguar se janë kreativë dhe ndërmarrës të mirë. Është jetësore që, kur lufta të përfundojë, gratë dhe fëmijët që ikën, të kthehen në Ukrainë.

Dhe Ukraina duhet të kalojë historinë e korrupsionit dhe kapjeve të shtetit. Premtimi për anëtarësinë në BE mund të ndihmojë. Kandidatura e Ukrainës do të jetë e shëndetshme dhe transformuese.

Tani që lufta po hy në vitin e dytë të saj, disa pyesin nëse ia vlen e gjitha kjo për Ukrainën. A nuk është më urgjente kriza e kostos së jetesës? Ose ndryshimet klimatike? Imagjinoni paratë që janë shpenzuar në armë të shkonin për to.

Është e drejtë të pendohesh për një luftë, por nuk është e mençur të durojmë agresionin e Putinit. Një fitore ruse në Ukrainë do ta çonte botën në një rrugë të zymtë, ku forca duket e drejtë dhe kufijtë janë tërhequr nga dhuna. Mund të përshpejtojë përballjen e radhës, edhe më keq, në Europë. Dhe do të thellonte një ndjenjë të përhapur se fuqia perëndimore dhe vlerat universale që ajo mban, janë në rënie.

Në të kundërt, fitorja e Ukrainës do të sillte shpresë se një demokraci sovrane nuk duhet të përkulet para fqinjit të saj më të madh e diktatorial. Do të ishte një botë që merr zemër nga vendosmëria dhe guximi i Zelensky-t bashkë me popullin ukrainas.

Burimi:The Economist/Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë