Gazeta Si – Imola kujton triumfet dhe dramat në Formula 1. Rreth 40 vjet më parë fundi i miqësisë mes dy ferraristëve Zhil Vilnëv dhe Didier Pironi, kurse thuajse 30 vjet më parë ndarja nga jeta e Airton Senës. Braziliani, 3 herë kampion bote, humbi jetën pas përplasjes fatale të 1 majit 1994.
Në prag të garës së radhës pikërisht në cirkuitin italian, është krijuar një “art car” special, një makinë e Fromula 1 e ndarë mes ‘street art’ dhe ‘livree old style’. Dhe përveç nderimit për Senën, ka edhe një iniciativë bamirësie në këtë rast.

Ky është qëllimi i projektit “Senna now”. Makina, një ‘showcar’ MekLaren e dhuruar nga koleksionisti italian Xhanluka Tramonti, është ndarë në dy pjesë. Ana e djathtë është ndarë në tri pjesë, me imazhet e 3 prej 4 makinave që ka drejtuar Sena në F.1: Lotus, Uilliams dhe MekLaren. Ana e majtë i është besuar artistit francez Jisbar. Kaska me ngjyrë jeshile dhe të artë, simbol i Airton Senës, spikat bashkë me tre trofetë.
Kjo vepër do të ekspozohet në muzeun Airton Sena të Imolës dhe do të shfaqet edhe në Majemi dhe Monako, para se të shitet në ankand në fund të vitit. Një pjesë e mirë e të ardhurave do të shkojë për fondacionin që mban emrin e kampionit të madh nga San Paolo.

Iniciativa mban firmën e Mateo Makiavelit. Stilisti italian, i cili ka qenë një fans i madh i Senës, për “Motorsport.com” ka thënë: “Kam kaluar fëmijërinë duke ndjekur garat dhe magjitë e heroit tim. Jam frymëzuar nga stili i tij i jetës dhe ajo që ai na ka mësuar”.
Atij i lindi ideja për të kontaktuar artistin francez Jisbar, për t’i dhënë jetë një “art car”: “Karizma e Airton Senës, personalitetit i tij, të gjitha sfidat që ka përballuar dhe humanizimi i tij më kanë bërë që të punoj për të krijuar diçka, që mund të na risjellë disa aspekte të mesazhit të tij special: sfidë, kreativitet dhe humanizëm”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




