Ngjarje

Një vendim i Gjykatës së Lartë në Itali i ndryshon pak gjërat për emigrantët e ndaluar në Shqipëri

Sipas Gjykatës, ata nuk duhet të kthehen në Itali nëse aplikojnë për azil pasi kanë mbërritur në qendrën e paraburgimit në Gjadër

Gazeta Si – Sipas Gjykatës së Lartë në Itali, ndalimi i një emigranti në qendrën e paraburgimit të riatdhesimit në Gjadër të Shqipërisë, është legjitim, edhe nëse personi aplikon për azil.

Ky parim ligjor i përfshirë në një vendim të Gjykatës, i raportuar nga “Corriere della Sera” dhe që nuk është publikuar ende në faqen e Gjykatës së Lartë, i ndryshon pak gjërat për emigrantët e sjellë në Shqipëri.

Në muajin prill, në fakt, Gjykata e Apelit të Romës, organi kompetent për këtë lloj procedimi, nuk kishte njehsuar ndalimin e disa emigrantëve për shkak se ata kishin paraqitur kërkesën për azil sapo kishin mbërritur në Shqipëri: sipas gjyqtarëve, statusi i ri ligjor i “azilkërkuesve” kërkonte kthimin e tyre në Itali.

Tani, megjithatë, Gjykata e Lartë ka thënë se emigrantët mund të qëndrojnë të ndaluar në Gjadër, edhe nëse kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare, sepse CPR-ja shqiptare duhet të njihet e barabartë me çdo CPR tjetër italiane.

Vendimi ka të bëjë me një rast konkret: Gjykata e Lartë pranoi ankesën e paraqitur nga Ministria e Brendshme dhe Shtabi i Policisë së Romës kundër njërit prej 14 dekreteve me të cilat Gjykata e Apelit të Romës nuk vërtetoi ndalimin e të njëjtit numër emigrantësh në Gjadër.

Çështja ka të bëjë me një 30-vjeçar nga Maroku, i cili mbërriti në Lampeduza në vitin 2021: më pas u dëbua nga Prefektura e Napolit dhe u dërgua në qendër në Shqipëri.

Atje, ai do të kishte paraqitur një kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare, e cila sipas selisë së policisë së Romës do të kishte qenë vetëm e dobishme për kthimin e tij në Itali, shkruan “Corriere”.

Prej këtej vjen dhe vendimi i Gjykatës, e cila e ktheu çështjen në Gjykatën e Apelit në Romë për rivlerësim. Qendra e Gjadrit, si pika e nxehtë në Shëngjinin aty pranë, ishte ndërtuar nga qeveria e Giorgia Melonit për të sjellë emigrantët e shpëtuar në det.

Në Shëngjin ekziston vetëm qendra e parë e identifikimit për emigrantët e transferuar, ndërsa qendra e Gjadrit fillimisht ishte planifikuar të ndahej në tre pjesë: më e madhja që përdoret si qendër paraburgimi, ajo që përdoret si CPR dhe burg (qendra e paraburgimit dhe burgu aktualisht janë bosh).

Qendrat ishin vënë në funksion në fund të vitit 2024, por që nga ai moment e deri pak javë më parë, qeveria ishte përpjekur prej muajsh t’i përdorte pa sukses, duke qenë se gjykatat e ndryshme kompetente nuk e vërtetonin ndalimin e emigrantëve, duke i konsideruar ata në kundërshtim me rregulloret evropiane.

Në fund të marsit, qeveria miratoi një dekret që përcakton se qendra e Gjadrit mund të përdoret si çdo CPR tjetër italiane, duke hequr dorë nga përdorimi i qendrave në Shqipëri për emigrantët e shpëtuar në det.

Në atë moment qeveria ishte në gjendje të transferonte 41 emigrantët e parë që ishin tashmë në CPR-të italiane (tani janë 25).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë