Ngjarje

Një tjetër valë largimesh? Shqipëria, a po ia dorëzon vetë infermierët Italisë?!

Nga Gazeta Si- Këshilltari i shëndetësisë në Piemonte, Itali Federico Riboldi do të vizitojë 13 universitete shqiptare me një synim: të rekrutojë infermierë shqiptarë.

‘Corriere della sera’ shkruan se të shtunën e kaluar Riboldi ka ardhur në Shqipëri ku, së bashku me Ivan Bufalo, president i Urdhrit të Infermierisë së Torinos dhe përfaqësues të universiteteve të Torinos dhe Piemontes kanë vijuar me përpjekjet e tyre për të rekrutuar infermierë të rinj për t’i përfshirë në fuqinë punëtore por edhe për të mbyllur një marrëveshje që universitetet italiane të vijnë në Shqipëri që të trajnojnë infermierët shqiptarë si dhe të harmonizojnë specializimet me Italinë.

“Janë 13 universitete shqiptare që Riboldi do të vizitojë në ditët në vijim, me shpresën për të bindur infermierët e ardhshëm për t’u zhvendosur në Piemonte ku për momentin është në kërkim të 2500 infermierëve shqiptarë që nuk gjejnë punë në vendin e tyre”, shkruan Corriere.

Në publikimin e fundit të bërë më 4 mars nga portali “Infermierët për Shqipërinë”, vetëm në rajonin e Tiranës ka 182 vende vakante për infermier, ku 121 vende janë definitive dhe pjesa tjetër provizore ndërkohë që në vit diplomohen rreth 1200 infermierë.

Pas njoftimit të Riboldi, sindikata e infermierëve ‘Nursing Up’ ka reaguar duke thënë se kjo është paradoksale, pasi para se të kërkojnë infermierë në vendet e tjera, duhet të “krijojnë kushtet për të mbajtur profesionistët tanë”.

“Edhe një herë ne jemi dëshmitarë të zgjedhjeve që duken më shumë paradoksale sesa zgjidhje reale për të ringritur sistemin tonë të çalë të shëndetit publik”, thotë Antonio De Palma, president i sindikatës së infermierëve, duke shtuar se Riboldi fluturon drejt Shqipërisë në kërkim të 2500 infermierëve për t’i vendosur në spitalet e rajonit, në marrëveshje me universitetet vendase, në vend që “të plotësojë boshllëqet me plane zhvillimi të denja dhe të krijojë kushtet për të mbajtur profesionistët tanë”.

Nga ana e tij, presidenti i Nursing Up pranon se Piemontes i mungojnë gjashtë mijë infermierë dhe se rekrutimi i profesionistëve nga Shqipëria mund të ishte i mirë si mbështetje, me partneritete strategjike me universitetet, por vetëm nëse të gjitha masat që synojnë zgjidhjen e mungesës së infermierëve italianë përmes një plani solid rinisjeje do të ishin zbatuar fillimisht, me veprime konkrete.

Dhe, si dëshmi e problematikës gjithnjë e më të ndjeshme të emigrimit në shëndetësi, ai paralajmëron se nëse kushtet e punës nuk përmirësohen, nëse rrogat mbeten të mjerueshme, askush nuk do të qëndrojë.

“As infermierët tanë, as ndoshta edhe ata që vijnë nga jashtë sot”.

Në 8 vitet e fundit, nga të dhënat e Urdhrit të Infermierit janë mbi 5400 infermierë që kanë plotësuar dokumentacionin për punësim jashtë vendit.

Sipas shifrave zyrtare, nga viti 2016 deri në vitin 2023, numri i infermierëve të larguar ka ardhur në rritje, duke kulmuar në vitin 2022.

Dy vendet e ‘preferuar’ të infermierëve shqiptarë janë Italia dhe Gjermania për shkak të pagave dhe ofertave të punës që marrin nga jashtë por edhe për shkak të kushteve në Shqipëri, siç kanë deklaruar shpesh herë infermierët e ikur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë