Treg

Një tjetër rritje e mundshme e normës, yield-et vazhdojnë rënien

Nga Gazeta ‘SI’ – Yield-et e titujve të borxhit vazhdojnë të bien në nivele rekord, teksa siguria në ekonomi shtohet.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, obligacionet 7-vjeçare patën rënie të fortë, ku në ankandin e sapozhvilluar dolën me yield 5.08% nga 5.21% që ishte më herët. Ky është niveli më i ulët në një vit.

Por kërkesa dhe interesi vazhdon të jetë i lartë, me një shumë totale të kërkuar prej gati 3.7 miliardë lekësh, nga 2.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e obligacioneve të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Edhe bonot e thesarit kanë shënuar një rekord të ri rënie, ku për ato 12-mujore yield-i rezultoi 3.29% nga 3.44% që ishte në ankandin e mëparshëm. Edhe këtu kërkesa qe e lartë, 12.2 mld lekë nga 7.5 mld të shpallura.

Rënia e shpejtë e yield-eve dhe jetëgjatësia e kësaj tendence tregon se investitorët janë më të qetë tani lidhur me inflacionin dhe normën e interesit. Po ashtu tregon edhe gjendjen likuide të këtij tregu që pati zhvillim të fortë në fund të vitit 2022.

Gjithsesi, Banka e Shqipërisë ka lënë të hapur mundësinë për një rritje tjetër të normës së interesit brenda muajit qershor. Vendim që mund të luhasë edhe tregun e titujve.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 15.1 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 68% krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë