Futboll

Një tjetër natë bashkë! Vajza e Pelé emocionon botën me postimin e fundit

Gazeta Si – Prej disa javësh ish-futbollisti i famshëm brazilian është i shtruar në spital, pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar. Keli Nashimento, vajza e tij, ka ndarë në rrjetet sociale momentet e vështira me të atin.

“Jemi këtu, në luftë dhe besim. Një tjetër natë bashkë”. Ishte ky postimi prekës në prag të Krishtlindjeve nga vajza e Pelé, i shoqëruar me një foto nga dhoma e spitalit. Një foto që thotë shumë: ‘O Rei’, në shtrat i intubuar dhe përqafimi i ngrohtë i së bijës.

Pele, 82 vjeç. Gazeta Si, 24 dhjetor 2022

Pelé, 82 vjeç, prej kohësh po lufton me një tumor. Lajmet e fundit nga spitali ‘Albert Einstein’ në San Paolo flasin për probleme serioze kardiake dhe me veshkat.

“Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen dhe lutjet që kemi marrë për babanë tonë. Ju falënderoj në emrin tim dhe të familjes, – kishte shkruar orët e fundit djali i Pelé, Edinjo, ish-portier dhe tani trajner në Serinë B braziliane. – Ndonjëherë marr kohë për të reflektuar dhe për t’u lutur. Disa momente janë të vështira”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë