Politike

Një sulm nga Irani? Rama: Jemi në NATO! Ushqejnë shpresa të kota për rrëzimin tim

Gazeta Si – Në një kohë kur lufta në Iran është zgjeruar përtej Lindjes së Mesme, kryeministri Edi Rama thotë se lajmet për një sulm ndaj Shqipërisë janë spekulime dhe thashetheme.

Në podkastin e tij “Flasim”, kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe se aleanca siç reagoi me rastin në Turqi, do të reagojë për të gjitha vendet që bëjnë pjesë në të.

“Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu. Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë”, – u shpreh ai duke iu referuar opozitës.

Rama tha se nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, duke shtuar se ata që i nxjerrin të tilla lajme, ushqejnë shpresën e kotë për rrëzimin e tij nga pushteti.

Rama kujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe “sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi, vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, ‘ondrrën në beze’, se do të përmbyset i ashtuquajturi ‘regjimi i Edi Ramës’”, tha kryeministri.

Rama u shpreh se përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet vendase. Sa i përket fluturimeve, ai theksoi se mbetet një sfidë për të gjithë.

“Kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë