Shendet

Strategji e re kundër rrezikut kardiovaskular: mbipesha, kolesteroli i lartë dhe yndyra në mëlçi trajtohen bashkë

Nga Gazeta Si- Shkenca mjekësore po hap horizonte të reja në luftën kundër rrezikut kardiovaskular, duke synuar njëkohësisht disa nga faktorët kryesorë që e ushqejnë atë: mbipeshën, kolesterolin e lartë LDL dhe steatozën hepatike (yndyrën në mëlçi).

Një studim i publikuar së fundmi në revistën prestigjioze Science Signaling sugjeron se, në të ardhmen, mund të jetë e mundur të kundërshtohet ky rrezik me një qasje të vetme terapeutike.

Hulumtimi është kryer nga ekspertë të Spitaleve Universitare dhe Universitetit Case Ëestern Reserve në Cleveland, nën koordinimin e studiuesit Jonathan Stamler. Aktualisht, studimi është ende në fazë laboratorike dhe nuk ka kaluar në prova klinike tek njerëzit, por rezultatet e para janë cilësuar si premtuese.

Një enzimë kyçe në qendër të kërkimit

Sipas studiuesve, duke bllokuar një enzimë të caktuar, të quajtur SCoR2, mund të veprohet njëkohësisht mbi tre mekanizma që rrisin ndjeshëm rrezikun e infarktit të miokardit dhe goditjes në tru. Eksperimentet laboratorike kanë treguar se frenimi i kësaj enzime çon në uljen e kolesterolit LDL (i ashtuquajturi “kolesteroli i keq”), reduktimin e peshës trupore dhe përmirësimin e steatozës hepatike.

Veprimi i kombinuar ndodh përmes indit dhjamor dhe mëlçisë, duke synuar drejtpërdrejt dismetabolizmin e lipideve, një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në qendër të këtij mekanizmi qëndron oksidi nitrik, një molekulë thelbësore për organizmin e njeriut. Përtej efektit të njohur të vazodilatimit të arterieve, oksidi nitrik ndikon në funksionimin e sistemit nervor, përgjigjen imunitare dhe metabolizmin qelizor. Ai luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në rregullimin e yndyrës dhe kolesterolit.

Ekspertët kanë zbuluar se enzima SCoR2 heq oksidin nitrik nga disa proteina që kontrollojnë akumulimin e yndyrës. Ky proces aktivizon sintezën e yndyrës, duke treguar se SCoR2 është thelbësore për prodhimin e indit dhjamor. Bllokimi i saj, përkundrazi, duket se frenon këto procese patologjike.

“Në mëlçi, oksidi nitrik pengon proteinat që prodhojnë yndyrë dhe kolesterol, ndërsa në indin dhjamor ndalon programin gjenetik që krijon enzimat përgjegjëse për prodhimin e yndyrës,” shpjegon Stamler.

Një ilaç i mundshëm, por ende në fazë paraklinike

Studiuesit kanë zhvilluar një molekulë eksperimentale që vepron mbi SCoR2 dhe kanë vërejtur se, në modelet e miut, ajo parandalon shtimin në peshë, përmirëson shëndetin e mëlcisë dhe ul kolesterolin LDL. Megjithatë, ekspertët theksojnë se jemi ende në fazat e para dhe se kalimi drejt përdorimit tek njerëzit do të kërkojë kohë, studime të mëtejshme dhe prova klinike të mirëfillta.

Kujdes i integruar për sëmundjet kronike

Sipas Francesco Dentali, internist dhe drejtor i Departamentit të Zonës Mjekësore në ASST Sette Laghi di Vareese, ky studim përfaqëson një qasje të re dhe shumë interesante në menaxhimin e rrezikut kardiovaskular.

“Vitet e fundit kemi parë një revolucion klinik me frenuesit SGLT2 dhe agonistët e receptorëve GLP-1, të zhvilluar fillimisht për diabetin, por që kanë treguar përfitime të mëdha edhe për zemrën, peshën trupore dhe veshkat. Studimi mbi SCoR2 ndjek të njëjtën logjikë: të veprojë ‘në rrjedhën e sipërme’ të dismetabolizmit lipid,” shprehet ai.

Sipas tij, nëse këto rezultate konfirmohen në studime klinike, në të ardhmen mund të kemi strategji të reja terapeutike që plotësojnë trajtimet ekzistuese dhe synojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë treshen mbipeshë–dislipidemi–steatozë hepatike, e cila është gjithnjë e më e shpeshtë tek pacientët kronikë.

Edhe pse rruga drejt aplikimit klinik është ende e gjatë, studiuesit janë optimistë se ky zbulim mund të shënojë një hap të rëndësishëm drejt parandalimit më efektiv të sëmundjeve kardiovaskulare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë