Para

Një regjistër i llogarive bankare për të gjurmuar terrorizmin dhe pastrimin e parave

Shqipëria do të ndërtojë së shpejti një regjistër të llogarive bankare i cili do të përdoret si një mjet për zbulimin, identifikimin e hetimin e veprimtarisë kriminale, ndjekjen e autorëve të veprave penale, zbulimin, gjurmimin ose identifikimin e pasurive të dyshuara me origjinë nga veprimtari kriminale, si dhe detyrimeve tatimore.

Ky është qëllimi i projektligjit “PËR “REGJISTRIN QENDROR TË LLOGARIVE BANKARE” të propozuar nga Ministria e Financave me asistencën teknike të GIZ dhe që aktualisht po diskutohet në komisionet kuvendore.

Referuar relacionit shpjegues, objekt i rregullimit të ligjit janë jo vetëm llogaritë bankare, por edhe kasetat e sigurisë të mbajtura nga klientët e institucioneve financiare.

Qëllimi i përgatitjes së këtij projektligji synon përcaktimin e funksioneve të regjistrit të llogarive bankare, mënyrën e raportimit dhe të shfrytëzimit të të dhënave të llogarive bankare, si dhe aksesin e shfrytëzimin e këtij regjistri, për të identifikuar pasuritë e dyshuara me prejardhje nga veprimtari kriminale, nëpërmjet transaksioneve bankare.

Relacioni sqaron se projektligji u hartua për të zbatuar kërkesat e lidhura me rekomandimet e Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) për standardet ndërkombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, që çdo shtet duhet të sigurojë që autoritetet kompetente të kenë mekanizma efektivë që mundësojnë bashkëpunimin e tyre dhe të koordinojë e shkëmbejë informacione brenda vendit, atëherë kur është e nevojshme, për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe të armëve të shkatërrimit në masë.

“Gjithashtu, në veçanti, në raportin e vlerësimit të Shqipërisë nga FATF-ja, në analizën e përputhshmërisë me rekomandimin 24, u vlerësua se ekziston një mungesë e mekanizmave në vend që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për marrjen e regjistrimin e informacionit për pronarët përfitues, si dhe mungesa e detyrimit të organeve ligjore për të mbajtur informacion bazë dhe një regjistër përkatës”- citohet në relacion.

Projektligji parashikon që Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, të vendosë në dispozicion aksesin e regjistrit për subjektet e interesuara; mbikëqyr përputhshmërinë e institucioneve financiare me detyrimet e përcaktuara në këtë ligj; jep informacion për subjektet që kanë të drejtë të marrin informacion me kërkesë.

Të dhënat që përmban regjistri dhe klasifikimi i tyre ndahen sipas projektligjit në parësore dhe dytësore. Përcaktohet gjithashtu se regjistri nuk përmban të dhëna për gjendjen e llogarive bankare dhe përmbajtjen e kasetave të sigurisë. Institucionet financiare nuk raportojnë të dhëna për gjendjen e llogarive bankare dhe përmbajtjen e kasetave të sigurisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale të mbajtësve të llogarive bankare. Po ashtu projektligji, parashikon raportimin e të dhënave nga institucionet financiare, e cila realizohet në kohë reale, duke përdorur mekanizmin qendror të automatizuar, sipas formatit të skedarit të raportimit që miratohet me udhëzim të ministrit të Financave.

Projektligji I jep Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve atributet e mbikqyrësit, por sqaron se mbikëqyrja realizohet vetëm kur institucionet financiare nuk raportojnë apo kur konstatohet mospërputhje e të dhënave të raportuara. Përcaktohet gjithashtu se drejtoria nuk mund të marrë dokumente në kapërcim të këtij projektligji, si dhe as dokumente që lidhen me gjendjen e llogarisë bankare apo përmbajtjen e kasetave të sigurisë.

Projektligji detyron që të dhënat e mbajtura në regjistër nga të gjithë autoritetet që kanë akses në të, të cilat janë të dhëna të natyrës personale, duhen trajtuar e ruajtur si sekret bankar dhe të dhënat e regjistrit nuk i nënshtrohen legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu përcaktohet  edhe publikimi i të dhënave vjetore për përdorimin e regjistrit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon, brenda tremujorit të parë të çdo viti, raportin publik vjetor për vitin pararendës për përdorimin e regjistrit. Raporti duhet të përfshijë edhe statistika të hollësishme për numrin e organeve, të cilat kanë aksesuar në regjistër, duke përfshirë numrin e personave të kërkuar prej tyre. Projektligji parashikon gjithashtu edhe kundërvajtjet administrative, organi që vendos gjobën e që miraton formatin e saj.

Gjithashtu, projektligji parashikon se institucionet financiare duhet, jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, të identifikojnë dhe të krijojnë e të mbajnë dokumentet përkatëse për mbajtësit e llogarive bankare, ndërkohë që Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit ndërton regjistrin brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Institucionet financiare duhet të transferojnë të dhënat e kërkuara nga ky ligj për mbajtësit e llogarive bankare jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë