Analize

Një ‘reality show’ në Shtëpinë e Bardhë

“Do të jetë një spektakël i mrekullueshëm televiz, jua siguroj.”

Këto mund të jenë fjalët më të vërteta që ka thënë presidenti i SHBA-së, Donald Trump lidhur me takimin dramatik dhe aspak diplomatik me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Trump i di disa gjëra për televizionin. Si një ish-yll i ekranit, ai e shtroi rrugën e tij drejt pushtetit me njohuri se si tërhiqet vëmendja e audiencës. Sa më tronditëse, sa më brutale të jetë, aq më shumë shikime do të ketë. Trump është i fiksuar me këtë. Ai telefononte çdo mëngjes drejtuesit e televizioneve për të kërkuar statistika. Nëse rritja e shikimeve apo pëlqimeve nuk ndodhtë ai do të provonte diçka tjetër. Ripërsërit. Sa më shumë shikime e vlerësime, aq më shumë mbulim e vëmendje. Vëmendja duhet paguar.

Formula funksionoi në fushatën zgjedhore të 2015-s, në një vend ku politikanët janë gjithmonë në kërkim të vëmendjes dhe kanalet televizive janë në kërkim të cikleve politikepër shikime. Funksionoi edhe në 2024-n (ai fitoi zgjedhjet), Trump u bë profesionist i videove edhe në rrjetet sociale, ekranet e vogla. Por a është e suksesshme metoda e “shokut” kur je tashmë president? Cilat janë metrikat e suksesit kur nuk ke zgjedhje për të fituar?

Gjatë javës që lamë pas, Trump preku kufijtë e vëmendjes mediatike – pa nevojën e ndonjë takimi apo ndonë eventi gjigand. Të hënën, martën dhe të premten, Trump takoi në Shtëpinë e Bardhë liderin e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës, duke u siguruar se çdo moment do Të transmetohej live nëpër botë. Një letër e dërguar nga Mbreti Charles? U bë. Miqësi me Macron? U bë. Sherr me Zelenskyn? U bë. A janë këto arritje apo zhvillime diplomatike? E zbulojmë pas pak. Na ndiqni pas hapësirës publicitare.

Nga të gjitha takimet live të Trump, më tronditësi ishte ai me Zelenskyn. Pas transmetimit të CNN, drejtuesja ndërkombëtare e rrjetit, Christiane Amanpour u pa e shtanguar, me duart që i mbulonin fytyrën duke shprehur se nuk kishte parë kurrë diçka të tillë. Të njëjtën pamje kishte edhe ambasadorja ukrainase Oksana Markarova që ka lobuar prej 2022-shit për ndihmë nga SHBA duke thënë “kjo po ndodh me të vërtetë?”.

Ndoshta në mendje edhe “Çfarë do të thotë për të ardhmen e vendit tim?”

Si një ish-producent televiziv, e di se kjo mjafton për të hapur debate. Ja çfarë ndodhi.

Nisi sicc nisin zakonish këto takime. “Dua të shikoj nëse mund t’i arrijmë qëllimet”, tha Trump, për një armëpushim potencial dhe një marrëveshje paqeje midis Rusisë e Ukrainës. “Doni që unë të bëhem i keq? Mund të bëhem njeriu më i keq që keni parë ndonjëherë… por kështu nuk do të keni kurrë një marrëveshje”.

Normale deri këtu. Më pas, zv.presidenti J.D Vance ndërhyri. “Për katër vjet, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne patëm një president që dilte në konferenca për shtyp dhe fliste ashpër për Vladimir Putin… Ne provuam rrugën e Joe Biden, për të goditur gjoksin tonë dhe duke pretenduar se fjalët e presidentit të Shteteve të Bashkuara kishin më shumë rëndësi sesa veprimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara.”

 Zelensky kërkoi të përgjigjet. Duke folur në anglisht – ai normalisht përdor një përkthyes – ai përshkroi se si Presidenti rus Vladimir Putin kishte pushtuar pjesë të ndryshme të Ukrainës që nga viti 2014. “Ne patëm shumë biseda me të… ai e theu armëpushimin. Ai vrau njerëzit tanë. … Për çfarë lloj diplomacie, po flisni J.D?”

Kjo nuk shkoi mirë.

“Po flas për llojin e diplomacisë që do t’i japë fund shkatërrimit të vendit tuaj. Z.president me shumë respekt, mendoj se nga ana juaj është mungesë respekti të vini në zyrën Ovale dhe të akuzoni në sy të mediave amerikane”, tha Vance.

Zelensky rriti bastin. “A keni qenë ndonjëherë në Ukrainë për të parë se çfarë problemesh kemi? Hajde një herë”, tha ai. Dhe më vonë, për agresionin e Putinit që po ndodh larg brigjeve amerikane, ai tha: “Ju keni një oqean të bukur dhe nuk i ndjeni problemet tani. Por ju do ta ndjeni atë në të ardhmen.”

Rreth kësaj pike, gjithçka shkoi keq. Trump u hodh përsëri. “Mos na tregoni se çfarë do të ndjejmë,” tha ai. “Ne po përpiqemi të zgjidhim një problem. Ju nuk jeni në gjendje të diktoni se çfarë do të ndjejmë. Do të ndihemi shumë mirë. Ne do të ndihemi shumë mirë dhe shumë të fortë.”

Më pas Trump filloi të ngrinte zërin. “Tani nuk jeni në një pozitë shumë të mirë. Ju e keni lejuar veten të jeni në një pozitë shumë të keqe. Ju nuk i keni kartat tani me ne. Ju jeni duke luajtur kumar me jetën e miliona njerëzve. Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore. Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore dhe kjo që po bëni është shumë mungesë respekti për këtë vend që ju ka mbështetur shumë më tepër se sa shumë njerëz thonë se duhet të kishin.”

Videot do të bëhen virale. Transkripti do të përpunohet. Madje Trump, i vetëdijshëm për dramën e momentit, iu drejtua llogarisë së tij “Truth Social” dhe shkroi: “Ne patëm një takim shumë domethënës në Shtëpinë e Bardhë sot. U mësua shumë që nuk mund të kuptohej kurrë pa biseda nën zjarr dhe presion. Është e mahnitshme ajo që del përmes emocioneve. … Zelensky nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe.”

Liderët botërorë e kanë parë këtë spektakël më parë. Shumë prej tyre e kuptojnë dashurinë e Trump për kamerat, nevojën e tij për të fituar çdo debat dhe nevojën e tij për pompozitet. Starmer u përgatit për një moment të tillë nga ambasadori i tij i ri në Uashington Peter Mandelson, dhe shkoi i përgatitur atje, me një ftesë dhe një letër nga mbreti Charles. Trump ia tregoi kamerave me mburrje, Starmer ishte mjaft i zgjuar për të vënë në dukje se Trump nuk e kishte pranuar ende ftesën – në atë moment ai e bëri, duke luajtur me kënaqësi momentin për kamerat.

E meta fatale e Zelenskyt me Vance dhe Trump ishte se ai guxoi të dilte jashtë skenari, që nxiti dhe inatin e Vance për të shprehur se ai po “akuzonte para medias amerikane”. (Injorojeni faktin që median e kishte thërritur Shtëpia e Bardhë.) Zelensky harroi se Trump nuk do të trajtohet si homolog, por si një monark i gjithëpushtetshëm, për hir të kamerave.

“A ke thënë ndonjëherë faleminderit?”, pyeti Vance. Për një ish-komedian të mësuar me kamerat, është e ccuditshme të harrosh skenarin.

Nga Ravi Agrawal, ish-drejtues në CNN, tani redaktor për “Foreign Policy”./Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë